Interesat duhet të diktojnë marrëdhëniet tona ndërkombëtare dhe jo anasjelltas

Nga Wolfgang Munchau “Corriere della Sera

Përktheu: Alket Goce-AlbEu.com

Ne evropianët jemi shumë të prirur të lidhim miqësi me të tjerët, dhe pikërisht këtu buron edhe pjesa më e madhe e konfuzionit tonë politik, për shkak të përzierjes midis interesave strategjike dhe marrëdhënieve të jashtme. Sigurisht, ky është një tipar që Mbretëria e Bashkuar e ndan me Bashkimin Evropian.

I gjithë debati mbi Brexit-in, në të dyja anët e Kanalit, ka qenë rreth qasjes se “me kë duam të jemi” në vend të “çfarë duam që të bëjmë”. Nga ana tjetër Shtetet e Bashkuara, ndjekin interesat e tyre kombëtare pavarësisht nga raportet ndërshtetërore.

Sigurisht, ky është privilegji i superfuqive. Por ai nuk është aq i lehtë për t’u përdorur. Gjatë dekadës së fundit, SHBA-ja e ka zhvendosur fokusin e saj nga Atlantiku në Paqësor. Konflikti që Rusia ka nisur kundër Ukrainës, i ka detyruar të kthejnë sërish kokën nga Evropa, dhe kjo ka çuar shumë evropianë në përfundimin e gabuar se Amerika dëshiron të ndreqë gabimin e saj.

Për pasojë është nënvlerësuar seriozisht orientimi strategjik i qeverisë së Joe Biden. Problemi më i dukshëm me qasjen relacionale ndaj diplomacisë, qëndron tek pamundësia e ushtrimit të kontrollit mbi palën tjetër. Dhe kjo lë pa përgjigje pyetjen kryesore mbi Donald Trump: nëse ish-presidenti fiton zgjedhjet e ardhshme, çfarë do të ndodhë me këto marrëdhënie?

A nuk është shumë e rrezikshme të vëmë bast mbi strategjinë tonë kombëtare me dështimin e rizgjedhjes së një kandidati të caktuar në Shtëpinë e Bardhë? Ndër arsyet e thella që diktuan humbjen e fushatës së referendumit në favor të qëndrimit të Britanisë në Bashkimin Evropian, gjejmë pikërisht mungesën e një strategjie të qëndrueshme për ta mbajtur Mbretërinë e Bashkuar në union.

Dhe të përfaqësosh qendrën financiare të bashkimit monetar të vendeve të tjera, rezultoi të ishte ajo që ishte në të vërtetë: një marrëzi e madhe. Për më tepër, ajo që ka dalë që atëherë konfirmon se as mbështetësit e Brexit nuk kishin hartuar një plan të saktë strategjik.

Tani për tani, unë shoh dy opsione konkurruese për Mbretërinë e Bashkuar, ku secila do të ketë pasoja të dallueshme në marrëdhëniet e ardhshme të vendit. E para është strategjia e ri-industrializimit.

Ky është basti i qeverisë Biden, për shkak të ligjit për uljen e inflacionit, që reflektohet në synimet e Partisë Laburiste britanike, ndonëse me një buxhet shumë më modest. Unë nuk shoh se si mund të funksionojë kjo strategji pa qasjen në një treg të madh të përbashkët.

Megjithatë, nëse kjo do të ishte zgjedhja e një qeverie laburiste, unë jam i bindur se do ta hidhte sërish vendin në krahët e Bashkimit Evropian. Ose të paktën do t’i hapte rrugën për t’u ribashkuar përfundimisht në tregun e përbashkët. Në fakt, industria tradicionale dhe tregu i vetëm shkojnë krah për krah.

Për mendimin tim, strategjia më e mirë alternative do të ishte fokusimi tek zhvillimi i teknologjive dixhitale të shekullit XXI-të. Mbretëria e Bashkuar ka tashmë një epërsi të madhe ndaj vendeve të tjera evropiane kur bëhet fjalë për bizneset fillestare të teknologjisë së lartë të financuara nga kapitali privat.

Ai është i vetmi vend në Evropë që ka investuar shumë në inteligjencën artificiale, një sektor dukshëm në rritje. Ndërkaq, Mbretëria e Bashkuar është edhe në ballë të kërkimeve mjekësore të teknologjisë së lartë. Dhe pastaj zotëron edhe teknologji të tjera që kanë filluar të shfaqen në horizont.

Prania e një qendre të madhe financiare të pasur me burime likuide, i garanton një avantazh Britanisë së Madhe. Por edhe universiteteve të saj të shkëlqyera. Produktet dhe shërbimet e teknologjisë së lartë nuk preken nga barrierat specifike të krijuara nga Brexit, si tarifat apo mungesa e qasjes në tregun e përbashkët.

Për këtë lloj biznesi, liria për t’u vetë-rregulluar është shumë më e madhe se çdo përfitim që ofron tregu i përbashkët. Nëse do të ishte kjo strategjia e saj, Mbretëria e Bashkuar do të bënte mirë të mos i forconte lidhjet me BE-në dhe t’i nënshtrohej rregulloreve evropiane.

Gjatë negociatave mbi Brexit, ishte e qartë se si BE-ja dëshironte t’i mohonte Mbretërisë së Bashkuar mundësinë për të shfrytëzuar sa më shumë avantazhet e saj konkurruese. Në këtë rast, do të ishte e preferueshme që Britania të mbetet e paangazhuar dhe e lirë për të zgjedhur regjimin e saj rregullator.

Nga ana tjetër, duket i rrezikshëm opsioni për t’u bërë një aksioner në minorancë i Shteteve të Bashkuara. Nëse përfundojmë duke pasur një Britani me një nivel të lartë të teknologjisë nga njëra anë dhe një BE që i reziston ndryshimit teknologjik nga ana tjetër, të ankoruar me kokëfortësi tek industria, perspektivat për forcimin e marrëdhënieve do të jenë të kufizuara.

Marrëdhëniet dypalëshe janë përmirësuar vetëm sepse Rishi Sunak ka bërë një përpjekje në këtë drejtim, dhe pasi Mbretëria e Bashkuar nuk është shkëputur ende plotësisht nga rregulloret evropiane. Klauzola famëkeqe e skadencës, e cila do t’i jepte fund të gjitha rregullave evropiane me një të rënë të lapsit, është hequr tashmë.

Por çfarë do të ndodhë kur Mbretëria e Bashkuar të fillojë të shkëputet nga disa rregulla evropiane shumë strategjike, siç janë ato për sigurinë e të dhënave? Nëse zgjedh strategjinë e zhvillimit të teknologjisë së lartë, unë nuk e shoh se si Britania e Madhe do të përshtatet ndonjëherë me regjimin rregullator të Bashkimit Evropian.

Sunak dhe qeveria e tij po ecin shumë ngadalë në këtë drejtim. Kryeministri e mishëron këtë strategji ndoshta edhe më mirë se sa çdo figurë tjetër politike në qeverinë britanike. Nga ana e saj Partia Laburiste, duhet të pajiset me një plan ekonomik dhe të ndërtojë marrëdhënie të jashtme rreth programeve të saj. Ne mund ta përjashtojmë që në fillim mundësinë që Bashkimi Evropian do të dojë t’i ofrojë Keir Starmer një ofertë më të mirë.

Edhe Bashkimi Evropian është për momentin shumë konfuz për sa i përket interesave dhe marrëdhënieve. Mbështetësit e Amerikës nuk kanë një përgjigje të qartë për pyetjen në lidhje me Donald Trump. Modeli ekonomik evropian, i bazuar tek industria, nuk siguron më ritmet e rritjes së nevojshme ekonomike për financimin e shtetit të mirëqenies dhe për gjenerimin e investimeve në sektorin publik.

Bashkimi Evropian preferoi të mbyllte sytë gjatë revolucionit dixhital, dhe po e gënjen veten nëse mendon se po pozicionohet si një autoritet rregullator global. BE duhet të ketë si prioritet kryesor rezistimit ndaj tundimit për të kthyer kohën pas. Personalisht, unë do të doja të pyesja pse BE-ja ka mbetur kaq prapa në garën e teknologjisë.

Është e qartë se kjo gjë nuk ka ndodhur për shkak të mungesës së hulumtimit, por për shkak të investimeve jo të duhura në sektorin privat. Nga ana tjetër kjo shkaktohet nga mungesa e tregjeve të shëndosha të kapitalit. Këshilla ime për BE-në është të rinisë projektin për integrimin e tregjeve të kapitalit dhe të frenojë hiperaktivitetin e tij.

Pa integrimin e tregjeve të kapitalit, unë nuk shoh asnjë rrugëdalje për axhendën e gjelbër të BE-së. Prandaj, është e nevojshme të fokusohemi tek ndërhyrjet më urgjente, të cilat jo domosdoshmërisht korrespondojnë me ato më të rëndësishmet. Pra i duhet kushtuar një vëmendje më e madhe qëllimeve që duhen arritur, në vend të marrëdhënieve që duhen krijuar.

 

 

 


Shtuar 22.06.2023 15:13