Hapet Brezovica, s'ka më rrezik
Agjencinë për Mbrojtjen e Mjedisit te Kosovës ka njoftuar se prej sot Qendra e Skijimit në Brezovicë, është e hapur për vizitorë dhe shfrytëzues të saj.

Vendimi për hapjen e qendrës erdhi pas Raportit të Brigadës së Mbështetjes së Operacioneve të Komandës së Forcave Tokësore të FSK-së, ku është vlerësuar se aktualisht nuk ka rrezik për paraqitjen e ortakëve në zonën e skijimit në Brezovicë.

Në raport thuhet mes tjerash se “Aktualisht bora është ngjeshur dhe lagur në sasi të konsiderueshme dhe mundësia e lëshimit të saj për të krijuar ortek është e vogël”.

Me gjithkëtë raporti vlerëson se në terrenet malore të Brezovicës ku kushtet klimatike janë vazhdimisht të ndryshueshme, nuk mundë përjashtohet mundësia e paraqitjes së serishme të ortekëve në të ardhmen.

Zona e Brezovicës ishte vlerësuar me rrezik të mesëm për krijimin e ortekut pas incidentit që ndodhi javën e kaluar. Për të larguar rrezikun nga paraqitja e ortiqeve të mundshme, njësitet e specializuara të Brigadës së Mbështetjes së Operacioneve të Komandës së Forcave Tokësore të FSK-së, gjatë kësaj jave kanë bërë shpërthimin dhe neutralizimin e dy ortiqeve të mundshme.

Me qëllim të parandalimit të rreziqeve të mundshme në zonën e Brezovicës në të ardhmen, AMMK ka kërkuar nga FSK që të vendos një njësit permanent të kërkim shpëtimit në qendër gjatë kohës së vizitorëve dhe funksionimit të ski-liftit.

Shtuar më 05/02/2019, ora 16:58

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori