Vetëm 50 vjeç, COVID-19 i merr jetën mamisë në Elbasan
Gucati jep një mesazh për të gjithë veteranët e luftës
Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së mbështetë idenë që Presheva, Medvegja dhe Bujanovci të bashkohen me Kosovën, mirëpo është kategorikisht kundër që të copëtohet territori i Kosovës.

Hysni Gucati nga OVL e UÇK-së, ka komentuar idenë e presidentit Hashim Thaçi për korrigjimin e kufirit me shtetin serb, ka deklaruar se nuk pajtohen që territori i Kosovës t’i jepet Serbisë.

Po ashtu, Gucati ka thënë se ka shumë paqartësi se çka po nënkuptohet korrigjimi i kufirit.

“Ne jemi për Preshevë, Medvegjë, Bujanovc, me i marrë këto komuna që kanë qenë të Kosovës gjithmonë. Por, ne nuk jemi për me dhënë territor askujt, se Kosova është e vogël edhe e kanë copëtuar Kosovën. Kështu që, Organizata e Veteranëve të Luftës nuk e mirëpret mirë pa e ditë thelbin e kufirit dhe korrigjimin. Ne po e dimë se çka është fjala korrigjim, por nuk po e dimë se çka po dëshirojnë të bëjnë, aty janë në pyetje rreth 432 metra nëse nuk gaboj prej Preshevës deri në Istog, burim”.

“Kështu që, neve na intereson shumë çka me korrigjim, cilën pjesë me korrigjua. A jemi për me marrë Kosovën lindore, ka qenë e Kosovës deri në vitin 56 ato pjesë kanë qenë të Kosovës, në vitin 56 shteti jugosllav atëherë dhe i ka marrë në territor të Serbisë. Organizata e Veteranëve të Luftës është për me marrë pjesën tonë që na takon, por për me copëtua Kosovën nuk jemi, për me nda kufij Kosovë nuk jemi”, ka thënë Gucati në një intervistë për Kosova Press.

Kryetari i veteranëve të luftës thotë se do ta mbështesin presidentin e Kosovës, nëse arrin të marrë Luginën e Preshevës, mirëpo të njëjtën mbështetje sipas tij nuk e ka nëse tentohet që një milimetër të lëshohet territori i Kosovës.

“Presidenti e ka mbështetjen prej Organizatave të dala nga lufta nëse e merr Preshevën, Medvegjën, Bujanovcin, do ta mbështesim deri në fund. Nëse tentohet një milimetër të lëshohet territori i Kosovës nuk e ka mbështetjen. Nëse presidenti me ato fjalët që i ka dhënë deri tani që unë besoj shumë në punën e tij, nëse presidenti thotë që ne jemi për me i marrë Preshevën, Medvegjen, Bujanovcin do ta ketë gjithmonë mbështetjen tonë. Nëse vjen tek copëtimi i Kosovës, nuk do ta ketë mbështetjen tonë kurrë”, thotë Gucati.

Megjithatë Gucati shprehet skeptik që Serbia do të pranonte që Lugina e Preshevës t’i bashkëngjitej Kosovës, madje ai nuk beson që Serbia do ta njoh Kosovën.

Ai thotë se çdo marrëveshje me Serbinë mund të bëhet vetëm nëse ka presion mbi Serbinë nga bashkësia ndërkombëtare.

Serbia gjithmonë ka qenë e pabesë, këta e kemi mësuar historikisht edhe prej pleqve edhe prej librave. Serbia gjithmonë ka qenë e pabesë, nuk pres diçka prej Serbisë mrekullira, veç nëse fuqitë e mëdha kuptohet, i Bashkimit Evropian, i Amerikanëve, nëse bëjnë trysni mbi Serbinë besoj se ndoshta do të vije ndonjë pajtueshmëri apo një paqe që po flitet. Që në atë paqe unë nuk do të besoj kurrë, se Serbia është një ujk i vjetër i viteve prej 1990, 1912, 1913, masakrat që i ka bërë në popullin shqiptar, shpërngulja e shqiptarëve më herët që janë bërë. Në Serbi nuk besojmë më shumë.

Por, ndoshta ka ardhur momenti dhe fundi që të gjendet një gjuhë e përbashkët dhe të vijmë deri tek pajtimi, por unë nuk besoj që Serbia përderisa nuk kërkon falje për krimet që i ka bërë në Kosovë, gjenocidin, dhunën, Serbia ende nuk është në gjendje që të kërkojë falje për ato krime që i ka bërë”, tha Gucati.


Shtuar më 11/09/2018, ora 09:32

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori