Grevë në të gjitha shkollat e Kosovës
Sindikata e Arsimit Shkencës dhe Kulturës ka vendosur të nisë grevën në të gjitha shkollat fillore dhe të mesme të Kosovës. Greva do të nis ditën e martë, duke filluar nga mosmbatja e një ore mësimi në ndërrimin e paraditës dhe atë të pasditës.

Kryetari i Sindikatës së SBASHK’ut, Rrahman Jasharaj, ka thënë për Gazetën Express se vendimi është marrë sot në Këshillin Drejtues Sindikatës.

"Këshilli Drejtues i SBASHK’ut vendosi pas nuk janë përmbushur dhe s’kemi garancione se do të përmbushen kushtet e Kontratës Kolektive në sektorin e arsimit të fillojmë me veprime sindikale të përshkallëzuara", ka thënë Jasharaj.

Sindikalisti ka sqaruar se do të organizohet greva e pjesshme për të shkuar pastaj te ajo e përgjithshmja.

"Të martën nuk punohet ora e parë e mësimit paradite dhe pasdite. Pastaj do të kalojmë në dy orë mosmbajtje të mësimit si shkallë e dytë e përshkallëzuar. Më 30 janar mbahet një ditë e tërë grevë dhe në këtë mënyrë harxhohen të gjitha veprimet e buta sindikale", ka vijuar ai.


Sindikalistët po kërkojnë zbatimin e plotë të Kontratës Kolektive, e cila parash rritjen e pagës për 0.5 % për një vit punë, 2 euro shujtë ditore, pagesën e biletës për mësimdhënësit udhëtarë si dhe dhënien e tri pagave për ata që dalin në pension.

Veç kësaj, sindikatat po kërkojnë rritjen e pagave me 25 %, ashtu si kishte premtuar Hashim Thaçi, aktualisht zëvendëskryeministër.

Edhe LDK’ja kishte premtuar rritje të pagave gjatë fushatës elektorale, duke thënë se rritja e mjaftueshme do të ishte prej 42 %.

Rritjen më të madhe e premtoi Ramush Haradinaj, i cili deklaronte se në Kosovë, gjatë mandatit të tij, paga mesatare do të bëhej 1 mijë euro. /albeu.com/
Shtuar më 10/01/2015, ora 14:31
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori