Grenell: Kosova dhe Serbia janë pajtuar që Ujmani të quhet Liqeni Trump
I dërguari i presidentit amerikan, Donald Trump për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, ka thënë se Kosova dhe Serbia kanë rënë dakord që Liqeni i Ujmanit, të quhet “Liqeni Trump”.

Këtë e ka bërë të ditur përmes një shkrimi në Twitter.


Liqeni i Ujmanit që është në Kosovë dhe Serbi, ka qenë një pikë serioze fërkimi mes dy palëve, pavarësisht që SHBA-ja, ka arritur pajtim për të nisur një studim të fizibilitetit për të krijuar vende pune dhe më shumë energji për rajonin …. kështu që të dy palët kanë rënë dakord për një emër të ri: Liqeni Trump”, ka thënë Grenell.

Ndryshe, i shtrirë në veri të Kosovës, në kufi me Serbinë, Liqeni i Ujmanit, që njihet edhe si Liqeni i Gazivodës, është ujëmbledhësi më i rëndësishëm për ekonominë e Kosovës.

Ujmani ka sipërfaqe prej 11.9 kilometrash katrorë dhe kur është plotësisht i mbushur me ujë, ka rreth 370 milionë kub ujë.

Sipas të dhënave të Bankës Botërore, 9.2 kilometra katrorë janë në territorin e Kosovës dhe 2.7 në atë të Serbisë.

Penda e Ujmanit është e lartë 107 metra.

Pa ujin e Liqenit të Ujmanit, Kosova do të mbetej pa rrymë brenda pak orësh. Uji i tij përdoret për ftohje dhe destinacione tjera në termocentralet “Kosova A” dhe “Kosova B”. Planet për rindërtimin e termocentralit tjetër të ri, të njohur si “Kosova e Re”, varen nga furnizimi me ujë nga ky liqen.


Me ujë nga ky liqen furnizohet edhe kompleksi metalurgjik “Ferronikeli” në Drenas.

I ndërtuar mes viteve 1979-1984, Liqeni i Ujmanit është rezervuari më i madh akumulues në Kosovë. Tre liqenet e tjerë janë: Liqeni i Batllavës në Komunën e Podujevës, i Badovcit afër Prishtinës dhe Liqeni i Radoniqit në Komunën e Gjakovës.

Rreth 35 për qind e banorëve të Prishtinës furnizohen nga ky rezervuar përmes fabrikës së re të ndërtuar për përpunimin e ujit në Shkabaj, pak kilometra larg qendrës së kryeqytetit.

Komunat tjera që furnizohen me ujë janë: Mitrovica, Vushtrria, Skenderaj, Gllogoci, Obiliqi dhe Fushë Kosova.
Shtuar më 24/09/2020, ora 20:40

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori