Grabovci u kërkon falje Jakup Krasniqit dhe Flora Brovinës
Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Adem Grabovci, i cili ishte protagonist i përgjimeve të publikuara në media, ka folur në ‘Frontal’ pasi Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë në rastin e quajtur “Pronto e ku shumica e zyrtarëve të përfshirë i përkasin Partisë Demokratike të Kosovës.

“Ndjej për obligim që tu kërkoj falje disa njerëzve me theks të veçantë flora Brovinës dhe Jakup Krasniqi. Sinqerisht ju kërkoj falje”, tha Grabovci.

Flora Borvina dhe Jakup Krasniqi ishin ndër të përmendurit në përgjimet e publikuara.

Sa i përket bisedave të ‘Prontos’ ku ai dëgjohet duke caktuar anëtarë bordi në bisedë me bashkë-partiakë të tjerë, Grabovci e ka pranuar që bordet kanë qenë të politizuara dhe aty janë zgjedhur anëtarë të partive në pushtet, gjë që është në kundërshtim me ligjin.

Ai shtoi që vendimet për këto borde pas publikimit të përgjimeve janë anuluar nga kryeministri dhe ‘nuk janë jetësuar’.

Në rastin “Pronto” janë të akuzuar njëmbëdhjetë persona me funksione të larta zyrtare: ish-deputeti Adem Grabovci, ministri aktual Besim Beqaj, deputeti aktual Zenun Pajaziti, dy ish-Sekretarë të përgjithshëm Ilhami Gashi dhe Xh.D., ish-zëvendësministri Fatmir Shurdha, këshilltari politik në MPB Sadat Gashi, ish-drejtori i Bordit të ndërmarrjes publike “Radoniqi-Dukagjini” në Gjakovë I.N., ish drejtori i Bordit të ndërmarrjes publike Hidro-Drini” në Pejë R.A., ish-kryesuesi i Kuvendit të Komunës së Prizrenit, Nijazi Kryeziu dhe ish shefja e Njësisë për furnizim në Ministrinë e Shëndetësisë Arbenita Pajaziti.

Të akuzuarit akuzohen për kryerjen e veprës penale Shkelja e statusit të barabartë të shtetasve dhe banorëve të Republikës së Kosovës në bashkëkryerje, nga neni 193 paragrafi 4 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së, lidhur me nenin 31 të KPRK’së, prej të cilave disa prej veprave kanë mbetur në tentativë.

Sipas aktakuzës, të pandehurit kanë keqpërdorur pozitat e tyre zyrtare duke bashkëpunuar në mes vete për dhënien e privilegjeve dhe përparësive kundërligjshme personave të cilët kanë konkurruar në funksione të rëndësishme, siç janë: drejtor për Ndërmarrjet publike qendrore, Kryeshef Ekzekutiv i Agjencisë së Regjistrimit në Ministrinë e Punëve të Brendshme, Kryeshef i Agjencisë për produkte medicinale dhe Koordinator i Qendrës së Regjistrimit Civil në Komunën e Klinës, duke mohuar dhe kufizuar liritë dhe të drejtat e kandidatëve të tjerë, të garantuara me ligj. /albeu.com/
Shtuar më 06/04/2018, ora 20:19

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori