"GlobalPost": CIA sponsorizoi SHIK-un
Web-faqja autoritative e lajmeve nga Bostoni i SHBA-së, Global Post në një shkrim të gjatë me titullin "Mafia e Kosovës – vrasje dhe frikësim", fokusohet në aktivitetet e SHIK-ut, duke thënë se kjo organizatë gjatë gjithë kohës ka marrë përkrahje të fortë nga Uashingtoni, njofton portali Koha.

“Menjëherë pas luftës së vitit 1999, agjencia famëkeqe e inteligjencës u bë një entitet jashtëligjor që fillimisht ishte nën komandën e lëvizjes guerile fitimtare UÇK që kishte përkrahjen e SHBA-së. Më pas u udhëhoq nga PDK-ja thonë burime amerikane dhe kosovare. Lideri i partisë është Hashim Thaçi, që fitoi së fundi mandatin e dytë në pushtet, dhe që ka përkrahjen e nivelit më të lartë në Uashington”.

“Sot, SHIK-u nuk ka zyre dhe zyrtarisht nuk ekziston, sipas njeriut që e ka udhëhequr për 9 vjet. Por, burimet e lidhura me SHIK-un, thonë se ai mbetet aktiv për të mbajtur status-quon nëpërmjet frikësimit dhe shantazhit”, shkruan gazetari Matthew McAllaster, raporton Indeksonline.

Vetë udhëheqësi i SHIK thotë se ka pasur mbështetjen e SHBA-së, diçka që konfirmohet edhe nga një ish-pjesëtar i SHIK-ut, një ish-mbledhës i fondeve për luftën, një diplomat ndërkombëtar dhe një analist politik.

“Global Post” ka intervistuar Nazim Bllacën që thotë se ka vrarë për SHIK-un. Kjo gazetë ka intervistuar edhe Adem Salihajn dhe Agim Veliun, që kanë thënë se SHIK-u ka bërë atentate ndaj tyre, sikurse edhe Drita Kllokoqin, burri i së cilës u vra nga Nazim Bllaca, si dhe vetë kreun e SHIK-ut, Kadri Veselin.

Ky i fundit e pranon ndihmën e SHBA-së, dhe në mënyrë indirekte pranon se ka marrë pjesë në secilin manifestim të organizuar nga Ambasada e SHBA-së për nder të 4 korrikut – Ditës së Pavarësisë së Amerikës.

Shumica e njerëzve që folën me GlobalPost për SHIK-un, aktivitetin e tij dhe lidhjet me SHBA-në, kanë folur në kushte anonimiteti, sepse kanë frikë për jetën e tyre.
“U sponsorua nga CIA”, tha një ish-zyrtar i lartë amerikan në Kosovë, që beson se SHIK-u u kthye në një organizatë të krimit të organizuar. “Në fillim ishin nja 16 persona të përzgjedhur mirë dhe të trajnuar për të bërë gjëra të mira…por u shndërrua në organizatë që kontrollon krimin dhe politikën e Kosovës”, thotë zyrtari amerikan.

Sipas tij, SHIK-u ende mbështetet nga SHBA-ja, dhe atë më shumë se kurrë tash.

Një ish-pjesëtar i SHIK-ut që nuk jeton më në Kosovë thotë se anëtarët e tij janë trajnuar në SHBA dhe në Gjermani, nga zyrtarë amerikanë të inteligjencës.

Shkrimin e plotë mund ta lexoni në:
http://www.globalpost.com/dispatch/news/regions/europe/110321/kosovo-intelligence-services?page=full
Shtuar më 28/03/2011, ora 16:06

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori