Glauk Konjufca do të bëhet ministër i Jashtëm
Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Arbërie Nagavci, ka konfirmuar edhe zyrtarisht se Glauk Konjufca do të jetë ministër i Punëve të Jashtme.

Përmes një postimi në Facebook, Nagavci dha lajmin i cili mundësoi arritjen e një marrëveshje për qeverisje në mes të VV’së dhe LDK’së.

“Nder e krenari për Kosovën dhe shqiptarët gjithandej që të përfaqësohemi nga një Kryeministër si Albin Kurti e një ministër i jashtëm si Glauk Konjufca”, thotë ajo.

“Si brenda ashtu dhe jashtë vendit, do të jemi e ndihemi të përfaqësuar denjësisht, pa frikë se do të ketë as më të voglin skandal, me dashuri për vendin, me integritet e profesionalizëm”, ka shkruar ajo.

I pari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka propozuar ditë më parë emrat për ministra dhe zëvendëskryeministrin e dytë.

Ai ka njoftuar se ka zgjedhur për zëvendëskryeministër të dytë, Haki Abazin.

Ndërkaq, si ministre të drejtësisë, Kurti kishte njoftuar se e kishin zgjedhur Albulena Haxhiun.

Ministër i Punëve të Jashtme ishte propozuar Blerim Reka, i cili do të zëvendësohet nga Glauk Konjufca, ndërsa, Ministër i Financave dhe Transfereve, Besnik Bislimi.

Për Ministër të Ekonomisë Kurti ka propozuar Rozeta Hajdarin kurse Arben Vitia është propozuar si Ministër i Shëndetësisë dhe Sportit.
Shtuar më 02/02/2020, ora 20:40

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori