“Bëhuni gati!” Eksperti paralajmëron skenarin e frikshëm mbi fatin e luftës në Ukrainë

Nga Doyle Mcmanus “Los Angeles Times

Përktheu: Alket Goce-AlbEu.com

Sipas planit të madh të presidentit rus Vladimir Putin, ky do të ishte dimri i vështirë që do ta thyente rezistencën e Ukrainës dhe do të përçante aleatët e saj në Perëndim. Por kjo gjë nuk ka ndodhur. Putini nisi sulmet me raketa në qytetet e Ukrainës dhe rrjetin e saj elektro-energjitik, por ukrainasit i riparuan transformatorët e tyre dhe vazhduan luftën.

Më pas Putin hodhi në betejë forcën mercenare, Wagner Group, të cilin e përdori për të marrë qytetin lindor të Ukrainës, Bakhmut. Këta të fundit janë ende duke u përpjekur për ta arritur atë synim. Putin ndërpreu furnizimet me gaz për Perëndimin, duke shpresuar të ngrijë evropianët në dimër në mënyrë që ata të braktisin Ukrainën.

Por dimri aktual në Evropë ka qenë një nga më të ngrohtët i regjistruar ndonjëherë. Çmimet e gazit janë më të ulëta se sa ishin përpara se Rusia të pushtonte Ukrainën. Dhe në vend se të braktisin Ukrainën, Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre po dërgojnë akoma më shumë ndihmë: raketat Patriot dhe tanket ‘Bradley” nga SHBA, tanket “Challenger” nga Britania, automjete të blinduara nga Gjermania dhe Franca.

Por kjo nuk do të thotë se Ukraina është duke fituar. Lufta e dimrit është shndërruar në një ngërç, me shumë pak territor që ka ndryshuar duar. Premtimi i presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky se fitorja po vjen mund të jetë i mirë për moralin, por mbetet i parakohshëm.

Putin u ka thënë udhëheqësve të huaj që e kanë takuar në Moskë se po planifikon një luftë 2 ose 3 vjeçare. Ai thotë se ka besim që forcat e tij më të mëdha mund t’ia kalojnë Ukrainës dhe aleatëve të saj. Të dyja palët po përgatiten për ofensiva të reja pranverën e ardhshme.

Rusia po trajnon rreth 150.000 rekrutë për të nisur sulme të reja, duke u mbështetur tek fuqitë e saj njerëzore në dukje të pakufishme. Ndërkaq Ukraina po pret armët e reja nga Perëndimi, përfshirë raketat kundërajrore dhe automjete të blinduara më të avancuara se sa çdo gjë që ka aktualisht.

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd J.Austin III, dhe zyrtarët evropianë do të takohen këtë javë në Gjermani për të rënë dakord mbi një listë të re furnizimesh, e cila mund të përfshijë për herë të parë tanke të rënda të avancuara. Zyrtarët e Pentagonit thonë se qëllimi nuk është thjesht t’i jepet Ukrainës mundësia të mbrohet, por që ta largojë Rusinë nga zonat që pushtoi vitin e kaluar.

“Ne po e pozicionojmë Ukrainën në një mënyre të tillë që ajo të jetë në gjendje të ecë përpara dhe të rimarrë territorin e pushtuar”-u tha gazetarëve zëvendës/ndihmës Sekretarja e Mbrojtjes Laura K.Cooper. Zyrtarët amerikanë nuk besojnë se Ukraina do të jetë në gjendje të rimarrë të gjithë territorin që ka pushtuar Rusia.

Po ashtu, SHBA nuk po llogarit kolapsin e ushtrisë ruse. Por ajo shpreson që sukseset e Ukrainës në fushën e betejës do ta bindin Putinin se lufta është kryesisht e humbur, dhe se është koha për të negociuar një armëpushim. Në rast se fillojnë negociatat, SHBA dëshiron që Ukraina të negociojë nga një pozicion i fortë.

Por ekziston një problem me këtë skenar optimist: as Rusia dhe as Ukraina nuk duken shumë të interesuara për kompromis. Putin ka refuzuar të heqë dorë nga 5 rajonet ukrainase që ai thotë se i ka aneksuar tashmë, edhe pse 4 prej tyre nuk janë plotësisht nën kontrollin rus.

Edhe Zelensky këmbëngul në pozicionin e tij, sipas të cilit Rusia duhet të heqë dorë nga çdo pëllëmbë e territorit ukrainas, përfshirë gadishullin e Krimesë, të cilin Putin e pushtoi në vitin 2014. Sondazhet kanë zbuluar se një shumicë solide e ukrainasve i mbështesin këto kërkesa.

Për këto arsye disa ekspertë të politikës së jashtme kanë arritur në përfundimin se rezultati më i mundshëm nuk është fitorja ushtarake apo një paqe e negociuar, por një “konflikt i ngrirë”. “Në vend se të supozojmë se lufta mund të përfundojë përmes triumfit ose bisedimeve, Perëndimi duhet të mendojë për një botë në të cilën konflikti vazhdon pa fitore dhe pa një paqe në horizont”- shkruan Ivo Daalder i Këshillit të Çikagos për Çështjet Globale dhe James Goldgeier nga Universiteti Amerikan në revistën “Foreign Affairs” javën e kaluar.

“Jo të gjitha luftërat përfundojnë me marrëveshje të përhershme paqeje”- vunë në dukje ata. Si shembuj, ata citojnë Luftën e Koresë, e cila vazhdon ende zyrtarisht pavarësisht një armëpushimi të nënshkruar në vitin 1953; luftën e vitit 1973 midis Izraelit dhe Sirisë; dhe aneksimin e Krimesë dhe pjesëve të tjera të Ukrainës nga Rusia në vitin 2014, një konflikt që ishte kryesisht e ngrirë para pushtimit të vitit të kaluar.

Një ngrirje nuk do ta zgjidhte konfliktin themelor. Ajo nuk do të ishte humbja e madhe për agresionin e Putinit, të cilën e shpresojnë ukrainasit dhe aleatët e tyre në mbarë botën. Ukraina do të shqetësohej me të drejtë, se një rezultat i tillë do t’i jepte Rusisë kohë për t’u rigrupuar, për të rindërtuar ushtrinë e saj të dërrmuar dhe për të provuar sërish pushtimin e plotë.

Kjo do të thotë se Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre duhet të vazhdojnë mbështetjen e madhe për Ukrainën, si për ta bërë atë të aftë të mbrohet kundër pushtimit të ardhshëm rus por edhe për të rindërtuar ekonominë e saj. Daalder dhe Goldgeier propozojnë një garanci zyrtare sigurie të NATO-s për Ukrainën, edhe nëse vendi nuk pranohet zyrtarisht në aleancë.

Propozimit të tyre i shtohet një strategji e stabilizimit të Ukrainës dhe frenimit të Rusisë, e ngjashme me politikën e kontrollit që Shtetet e Bashkuara zbatuan ndaj Bashkimit Sovjetik gjatë 45 viteve të Luftës së Ftohtë. Me pak fat, Ukraina dhe Perëndimi do të jenë në gjendje që të rrëzojnë Putinin nga pushteti dhe të kërkojnë një zgjidhje me pasardhësit e tij.

Një strategji e tillë do të ishte e kushtueshme, madje edhe e rrezikshme. Konfliktet e ngrira nuk janë gjithmonë pa probleme.

Mjafton të shihni Korenë, Sirinë dhe Krimenë. Plani do të kërkonte nga amerikanët të mbështesnin ndihmën për Ukrainën për vite apo dekada, edhe pse republikanët, dikur partia e vendosur anti-sovjetike, ka nisur që të ankohet gjithnjë e më zëshëm për koston.

Por politika e jashtme është shpesh një zgjedhje midis opsioneve që janë më pak se ideale. Dhe një luftë e ftohtë është më pak shkatërruese, dhe ndoshta më e lirë, sesa një luftë e nxehtë. /albeu.com


Shtuar 17.01.2023 15:48