Të miturit nuk do të kenë akses gjatë natës në Internet, Kina njofton rregullat e reja për të “luftuar” varësinë ndaj celularëve

Të miturit në Kinë nuk do të jenë më në gjendje të hyjnë në internet nga telefonat e tyre smart gjatë natës dhe koha që ata mund të jenë online gjatë ditës do të jetë e kufizuar, sipas legjislacionit të ri kundër varësisë ndaj teknologjisë.

Sipas kufizimeve të reja, të cilat pritet të hyjnë në fuqi më 2 shtator pas një konsultimi publik, asnjë i mitur nuk do të jetë në gjendje të hyjë në internet përmes pajisjes celulare nga ora 22:00 deri në orën 6 të mëngjesit.

Përveç kësaj, do të vendoset gjithashtu një sistem për të kufizuar sasinë ditore të kohës që telefonat inteligjentë mund të lidhen me internetin. Adoleshentët e moshës 16-17 vjeç do të mund të jenë në internet për dy orë, krahasuar me vetëm 40 minuta për fëmijët nën 8 vjeç.

Këto rregulla të reja, të propozuara nga Administrata e Hapësirës Kibernetike të Kinës dhe do të zbatohen me mjete teknike, janë ndër më të rreptat në botë në këtë fushë.

Prindërit do të jenë ende në gjendje të çaktivizojnë kufizimet nëse dëshirojnë.

Sipas Administratës së Hapësirës Kibernetike të Kinës, rregulloret e reja do të lejojnë “krijimin e një mjedisi të sigurt dhe të shëndetshëm në internet për të miturit”, pas masave të tjera të marra vitet e fundit për “reduktimin e varësisë së të miturve në internet”.

Kina ka publikuar rregulla të shumta në këtë drejtim vitet e fundit.

Njoftimi i sotëm bëri që bursa e kompanive kineze të internetit të bjerë.

Në Hong Kong, aksionet e Tencent (video lojëra, mesazhe dhe platforma pagesash në internet) humbën gati 3% dhe aksionet e Baidu (motor kërkimi, inteligjencë artificiale) humbën 3.75%./albeu.com


Shtuar 2.08.2023 14:39