Fisi Rraja shkakton “tërmet” në politikë, e shtuna e “zezë” për Rrahmanin dhe Bledi Çuçin

Fisi Rraja shkakton “tërmet” në politikë, e shtuna e “zezë” për Rrahmanin dhe Bledi Çuçin

Shkopat e bejsbollit të përdorur nga fisi i Rrahman Rrajas dy ditë më parë në aksin Thumanë-Fushë Krujë, të cilët goditën barbarisht dy kushurinjtë Jashar dhe Bilbil Maja, pse u ankuan për guroren, kanë “goditur” këtë të shtunë edhe “karriget” e vetë Rrahman Rrajes dhe atë të Ministrit të Brendshëm Bledi Çuçi.

Kjo e shtunë shkaktoi “rrufe” në qiell të hapur në kampin mazhorancën socialiste. Fillimisht ishte deputeti Rraja i cili dha dorëheqjen pas ngjarjes së rëndë të dy ditëve më parë me protagonistë djalin e tij Rexhepin, vëllain Xhelalin dhe disa anëtarë të tjerë të familjes së tij, të cilët goditën barbarisht me shkopa bejsbolli dhe me qytë pistoje dy kushurinjtë e fisit Maja.

Rrahman Rraja në letrën e tij publike të dorëheqjes ju kërkonte ndjesë qytetarëve shqiptarë, votuesve të tij, familjes së të dhuanuarve, dhe kolegëve të tij të Partisë Socialiste si dhe vetë kryeministrit Edi Rama.

Në dorëheqjen e tij Rrahman Rraja gjithashtu pranonte se kishte dështuar si prind, dhe se nuk mund të ishte më deputet pasi kishte shkelur mbi besimin e votuesve.

Postimi i Rrahman Rrajës:

Ju kerkoj ndjese atyre qe me kane dhene voten prej vitit 2000 si kryetar komune dhe prej 2 mandatesh si deputet. Ju kerkoj ndjese viktimave te asaj dhune turperuese për familjen time. I bej thirrje djalit tim te dorezohet para drejtesise. Zoti me dhente force qe ta perballoj kete dhimbje te madhe dhe jete qe ta shlyej kete turp qe me la mbi shpatulla si gur im bir. Ne fund mirenjohje dhe ndjese edhe kryetarit te partise dhe kryeministrit, i cili nuk me kishte asnje borxh per kete shqetesim kaq te madh publik qe i shkaktova.

Ndërkohë kur u duke se historia e dhunës në Fushë Krujë u mbyll me dorëheqjen e Rrahman Rrajës, një tjetër goditje e fortë erdhi dhe për Bledi Çuçin, i cili u shkarkua direkt nga kryeminsitri Edi Rama.

Pavarësisht se qendroi mbi 4 orë në zyrën e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku, këtë herë Çuçi nuk mundi t’ja “faturonte fajin” vartësit të tij, siç ndodhi një vit më parë me shkarkimin e Gledis Nanos, i cili u largua pas vrasjes së 7 –vjeçares Joniada Avdija, e cila u përplas me skaf në breg të detit nga efektivi Arjan Tase, si dhe për mos pasjen e asnjë të dhëne për fatin e Ervis Martinajt.

Gjithashtu këtë të shtunë u “shkri” i gjithë komisariati i Krujës, ku punonjësit akuzohen për neglizhencë si dhe fshehje të krikmit.

/Taulant Halili/AlbEu.com


Shtuar 8.07.2023 21:08