Ukraina merr kontrollin e Çernobilit

Flamuri ukrainas është ngritur mbi termocentralin bërthamor të Çernobilit pas tërheqjes së forcave ruse, tha të shtunën ndërmarrja shtetërore që mbikëqyr centralet bërthamore.

“Sot, më 2 prill, në orën 11:00, flamuri ukrainas u ngrit mbi termocentralin e Çernobilit dhe u këndua himni”, tha Energoatom në një deklaratë në Telegram.

“I gjithë stafi i termocentralit bërthamor të Çernobilit, i cili ka punuar heroikisht në kushtet e vështira të okupimit që nga 24 shkurti dhe ka siguruar sigurinë bërthamore dhe rrezatuese në stacionin dhe objektet përreth, ishte i pranishëm në ceremoni”, shtohet në deklaratë.

Kujtojmë se, Çernobili ishte vendi i fatkeqësisë më të keqe bërthamore në botë në 1986.

Më 26 prill të atij viti, shpërtheu rekreatori nr.4 në Çernobil, duke vrarë 30 njerëz menjëherë. Të tjerë të panumërt vdiqën nga simptomat e rrezatimit në vitet që pasuan.

Në fund të shkurtit, gjatë javës së parë të pushtimit të Ukrainës nga Rusia, uzina dhe territori përreth saj ranë në duart e trupave ruse.

Megjithatë, trupat ruse që atëherë njoftuan synimin e tyre për t’u larguar dhe për t’ia dorëzuar kontrollin personelit ukrainas, tha Energoatom në një deklaratë të enjten.

“U konfirmua se pushtuesit, të cilët morën kontrollin e termocentralit bërthamor të Çernobilit dhe objektet e tjera në Zonën e Përjashtimit, marshuan në dy kolona drejt kufirit të Ukrainës me Republikën e Bjellorusisë”, thuhet në deklaratën e publikuar në Telegram./albeu.com