Gjykata gjobit shtetin e Kosovës me 95 000 euro për vrasjen e Diana Kastratit
Gjykata Themelore e Prizrenit e ka detyruar Republikën e Kosovës që ta kompenzojë dëmin prej 95 mijë eurosh që Gjykata Themelore në Prishtinë ia ka shkaktuar familjes Kastrati duke neglizhuar rastin e vajzës së saj të ndjerë, Diana Kastrati.

Lajmin për këtë e ka bërë të ditur Shoqëria e Avokatëve “Sejdiu & Qerkini” SHPK.

“Familja e të ndjerës Diana Kastrati, e përfaqësuar nga avokatura “Sejdiu & Qerkini”, pas disa viteve në kontest civil për kompensim dëmi kundër Republikës së Kosovës, sot mori lajmin se Gjykata Themelore në Prizren ka detyruar Republikën e Kosovës që ta kompensojë dëmin prej €95,000.00 që Gjykata Themelore në Prishtinë i ka shkaktuar atyre duke neglizhuar rastin e vajzës së tyre të ndjerë, rrjedhimisht duke i shkelur asaj të drejtën në jetë”, thuhet në postimin e saj në Facebook.

Ndryshe, Diana Kastrati është vrarë në maj të 2011-s dhe i dyshuari kryesor për kryerjen e këtij krimi është ish-bashkëshorti i saj Adnon Jashari, me të cilin ajo kishte qenë e martuar për 10 vjet.

Familja Kastrati një vit pas vrasjes së vajzës së tyre kishte dërguar rastin në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës, për të konstatuar nëse sistemi i drejtësisë në vend ka funksionuar te rasti i vajzës së saj, dhe nëse jo, kush është përgjegjës për këtë mosfunksionim.
Shtuar më 06/09/2019, ora 15:10
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori