Gjykata e Hagës lexon 10 akuzat për Jakup Krasniqin, ish-kryeparlamentari: Na quani ndërmarrje kriminale!
Ish-kryeparlamentari i Kosovës, Jakup Krasniqi ka dalë sot para gjykatës së Hagës. Krasniqit i janë lexuar akuzat, për të cilat do të gjykohet.

Bëhet fjalë për 10 akuza, të cilat të gjitha janë të ndëshkueshme.

Nga ana e gjyqtarëve u bë e ditur se sot nuk është seanca për të kundërshtuar, por thjesht për tu njohur me akuzat.

Akuzat ndaj Jakup Krasniqit

1-Përndjekje, krim kundër njerëzit

2-Burgim, krim kundër njerëzit

3-Ndalim arbitrar, krim kundër njerëzit

4-Akte të tjera çnjerëzore, krim kundër njerëzit

5-Trajtim mizor. krim lufte

6-Torturë krim, kundër njerëzit

7-Torturë si krim lufte

8-Vrasje, krim kundër njerëzit

9-Vrasje e paligjshme, si krim lufte

10-Zhdukje me forcë e personave, krim kundër njerëzimit

Sipas gjykatës së Hagës, këto krime u kryen mes prill 1998-gusht 1999.

“Jakup Krasniqi është penalisht përgjegjës si epror për krimet nga pika 1 deri në pikën 10”, tha përfaqësuesja e gjykatës.

Si reagim, Krasniqi tha se asnjëherë nuk ka drejtuar gishtin ndaj civilëve qoftë qytetarëve të Kosovës, qoftë atyre të Serbisë. Krasniqi tha se është padrejtësi dhe fyese që në aktakuza shqiptarët ndahen në myslimanë dhe katolike.

“Së pari, dua të them këtu se unë jam arrestuar me 4 nëntor 2020. Në akt akuzë po na quani ndërmarrje kriminale të përbashkët.

Unë dua të deklaroj se kurrë në jetën time ne asnjë rast nuk i kam trajtuar njerëzit as kaq sa e si më trajtuat mua nga ndërtesa e burgut deri në këtë ndërtesë. Kurrë në jetën time nuk kam trajtuar njerëz kështu si më trajtuat mua.

E ndjej veten më shumë se mirë dhe kurrë nuk do të dëshiroja të jem në petkun e njerëzve që kanë petkun e kriminalit.

Në asnjë deklaratë time nuk e kam drejtuar gishtin ndaj civilëve.

Në aktakuzë përpiqeni ti ndani shqiptarët në katolikë dhe myslimanë. Kjo është fyese”, tha Krasniqi.
Shtuar më 09/11/2020, ora 11:44

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori