Gjuriç: Prishtina po përgatiste masakër në veri
Drejtori i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriç, ka thënë se "ditëve të fundit ishte një plan që kishte për qelli, të përgatitjes së një masakre të re kundër serbëve në Kosovë dhe se atë e parandaloi kryeministri Aleksandar Vuçiç".

"Vendi ynë ditëve të fundit ka qenë objekt i një plani politik shumë cinik dhe objekt intrigash, që kishte për qëllim të krijonte kushte politike për diçka që do të ishte një masakër e re kundër serbëve në Kosovë", ka thënë Gjuriç për televizionin publik serb.

Sipas tij, justifikim i kësaj ishte një çështje komunale në Mitrovicë, "një mur mbajtës, që është rënë dakord tashmë për të lëvizur dy metra prapa".

Ai ka shtuar se kryeministri Vuçiç ka dalë haptazi dhe ka thënë se shteti i Serbisë nuk do të pranojë për asnjë kusht që "serbët në Kosovës e Metohisë të jenë cak i masakrave të reja dhe dhunës së re" dhe se për këtë u është dërguar porosi adresave më të rëndësishme në botë.

"Sikur të mos ndodhnin ngjarjet në Rashkë, apo sikur të mos shkonte kryeministri Aleksandër Vuçiç e të mos qëndronte para serbëve të KeM-it e të dërgonte porosinë e qartë se shteti i Serbisë qëndron prapa tyre dhe nuk do të tolerojë asnjë lloj dhune, ne sot do të kishim një situatë pa kurrfarë kontrolli politik në KeM, e ndoshta edhe dhunë", ka thënë më tej Gjuriç.

Sipas fjalëve të tij, Vuçiç "ka ndezur dritën në Rashkë" dhe ka treguar se "çfarë plani po përgatitej".

"Njëra ide ka qenë kjo, ndërsa pjesa e dytë e idesë ka qenë që Serbia të përfshihet në të dhe Beogradi të lihet anash në negociata", ka shtuar ai. /albeu.com/

Shtuar më 05/02/2017, ora 09:19

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori