Spektakël në Bergamo: Gjimshiti mposht Strakoshën, buzëqesh Juve (VIDEO)

Lazio ka shpërdoruar një mundësi të artë për të ruajtur distancat me Juventus-in kryesues në kampionat.

Skuadra e Inzaghi-t, në fakt, ka shpërdoruar një avantazh prej dy golash në fushën e Atalanta-s dhe tani ka shkuar katër pikë larg bardhezinjve.

Gjithçka ka nisur keq për Gjimshitin me shokë, me De Roon që ka realizuar një autogol në minutën e pestë dhe Milinkovic-Savic që ka dyfishuar në të 11-ën me një gol të mrekullueshëm.

Gjithsesi, skuadra e Gasperini-t nuk është dorëzuar dhe në minutën e 38-të ka ngushtuar diferencat me Gosens dhe ka barazuar takimin në të 66-ën me një silur të Malinkovsky-t.

Kur mendohej se ndeshja do të mbyllej barazim, Palomino ka realizuar golin e tretë të vendasve, i ndihmuar nga një dalje e gabuar e Strakoshës.

Ka pasur përmbysje edhe në Olimpico të Romës, ku verdhekuqtë e Fonseca-s kanë fituar më 2-1 kundër Sampdoria-s. Miqtë kanë kaluar në avantazh në minutën e 11-të me Gabbiadini-n, i cili ka përfituar nga një gafë e mbrojtjes.

Reagimin i vendasve ka ardhur në pjesën e dytë me dy gola të mrekullueshëm të Dzeko-s në minutën e 64-t dhe 85-të.


Shtuar 24.06.2020 21:54