Gjermania do të pajtojë Kosovën me Serbinë
Takimi i së dielës midis Presidenti të Serbisë Aleksandër Vucic dhe atij të Kosovës, Hashim Thaçi, me ndërmjetësimin e Federica Mogherinit në Bruksel mund të jetë fillimi i fundit i konfliktit shumëvjeçar mes Serbisë dhe Kosovës. Ata do të zhvillojnë bisedime lidhur me normalizimin e marrëdhënieve.

Gazeta zvicerane Neue Zürcher Zeitung shkruan se marrëveshjet e deritashme janë përmbushur pjesërisht dhe thotë se baza e marrëveshjes është përgatitur nga Gjemania, transmeton RTKlive.

Ndonëse me plot ngarkesa nga e kaluara, 19 vjet pas përfundimit të luftës, të dy presidentët synojnë të gjejnë një zgjidhje të përhershme të konfliktit. Aktualisht një njohje e plotë e Kosovës nga Serbia përjashtohet, pasi edhe më tej janë 5 vende të Bashkimit Evropian që nuk e kanë njohur Kosovën, ndërsa Moska është pengesë për anëtarësimin e këtij vendi në OKB, shkruan gazeta zvicerane Neue Zürcher Zeitung.

Një zgjidhje për problemin e Kosovës është ofruar nga diplomatët gjermanë. Ata kanë ofruar si bazë për negociata, marrëveshjen e vitit 1972 midis ish Gjermanisë Demokratike dhe asaj Federale, e cila nga diplomatët gjermanë është adoptuar për rrethanat lokale.

Rezultat i marrëveshjes, që do të arrihet midis presidentit Thaçi dhe atij Vuçiq, do të jetë njohja faktike e Kosovës nga Serbia, por jo dhe njohja zyrtare. Sidoqoftë, sipas marrëveshjes, Serbia nuk do të pengojë më anëtarësimin e Kosovës në OKB. Si shpërblim, Serbia do të bëhet anëtare e BE-së pasi vetëm vendet që nuk kanë konflikte për çështje kufiri me fqinjët, mund të bëhen anëtarë të OKB-së.

Ndonëse në opinion po qarkullojnë edhe ide të tjerë për shkëmbim territoresh, për këtë opsion nuk duan të dëgjojnë Berlini dhe Uashingtoni shkruan Neue Zürcher Zeitung.

Në gjithë këtë vorbull, pozita e presidentit të Serbisë nuk është e thjeshtë, pasi ai po kundërshtohet nga Kisha ortodokse serbe.

Në anën tjetër, ai i ka premtuar Berlinit se problemin me Kosovën do ta zgjidhë gjatë këtij mandate, si president i Serbisë.

Ndërkohë, ankesa nga të dyja palët kanë shkuar në adresë të ndërmjetësueses Federica Mogherini. Si Serbia ashtu dhe Kosova e kanë akuzuar atë se është shumë pasive dhe se po merret më shumë me çështje të tjera.

Ndërkaq, mundësia për një konferencë ndërkombëtare për zgjidhjen e problemit të Kosovës është përjashtuar. Aleatët e Kosovës, kanë vlerësuar se kjo mbetet vetëm një dëshirë e Serbisë.


Shtuar më 22/06/2018, ora 09:43

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori