Gjermanët nxjerrin pamjet: Me këtë avion i rrëmbeu Erdogani 6 mësuesit turq nga Kosova
Pëlqej
Presidenti turk Rexhep Taip Erdoan po zhvillon një fushatë mbarëbotërore kundër atyre personave që i ka targetuar si përkrahës të lëvizjes Gülen.

Këtë lëvizje, të emëruar sipas mikut të dikurshëm të Erdoganit, Fethullah Gülen, kryetari turk e sheh si fajtoren kryesore për përpjekjen për grusht shteti në korrik 2016. Që nga atëherë Turqia ka filluar së zbatuari një program rrembimesh në mbarë botën.

Programi, sipas një hulumtimi të televizionit gjerman ZDF, drejtohet nga shërbimi sekret turk MIT. Përkrahësit e Gülenit, pa marrë parasysh pozitat e tyre në këtë organizatë, ndiqen, rrëmbehen dhe futen në burgjet turke, ku, sipas familjarëve, mbahen pa aktakuzë. Hulumtimet e emisionit «Frontal21» të ZDF janë zhvilluar në bashkëpunim me tetë media ndërkombëtare dhe janë koordinuar nga platforma Correctiv.

Në emisionin e së martës «Frontal21» ka prezantuar fakte mbi rrëmbimin e shtetasve turq në Indonezi, Moldavi dhe – Kosovë. Disa të kidnapuar që kanë arritur të ikin nga Turqia, kanë treguar se si janë keqtrajtuar në burgjet turke.

Televizioni gjerman ZDF një pjesë të konsiderueshme ia kushton rrembimiy të gjashtë shtetasve turq në Kosovë dhe sjelljes së tyre në Turqi. Sipas ZDF më datën 29 mars 2018 një avion i tipit Challenger aterroi në mëngjes në aeroportin e Prishtinës.

Pak minuta më herët një kamerë publike kishte regjistruar një aksion të policisë së Kosovës. Policët ndalën veturën e familjes turke Karabina dhe kidnapuan kryefamiljarin Jusuf Karabina. Jasemin Karabina, gruaja e të kidnapuarit, ishte përpjekur të pengojë policët e Kosovës gjatë aksionit të tyre ilegal.

Por, ajo nuk pati sukses. Burri i saj dhe pesë turq të tjerë ishin të angazhuar në shkollat e Lëvizjes Gülen në Kosovë. Ndërsa familjarët kërkonin të afërmit e tyre, ata u sollën në aeroport dhe u futën në avionin Challenger.

Në orën 10:00 avioni u ngjit në qiell nga pista e aeroportit të Prishtinës. Caku i fluturimit: aeroporti ushtarak në Ankara. Këtë, sipas ZDF, e dëshmojnë dokumentet. Turqit e kidnapuar në Kosovë u sollën në Turqi me avionin Challenger TC-KLE, i regjistruar në emër të një firme turistike në Ankara.

Adresa e firmës: fare afër ndërtesës ku banojnë pjesëtarët e shërbimit sekret turk MIT në Ankara. Avioni Challenger TC-KLE e shoqëroi edhe aeroplanin e Rexhep Taip Erdoanit gjatë vizitës në Gjermani në fund të shtatorit të këtij viti.

Sipas familjarëve të turqve të rrembyer në Kosovë, pjesëtarët e shërbimit sekret turk qëndruan në avion dhe autoritet kosovare ua dorëzuan atyre të rrëmbyerit.
Shtuar më 13/12/2018, ora 10:17
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori