Dëshmi e dashurisë së përjetshme: Në cilën dorë duhet të vini unazën e fejesës dhe të martesës?

Një unazë fejese dhe një unazë martese mbahen tradicionalisht si dëshmi e dashurisë së përjetshme dhe premtimit për dikë.

Megjithatë, shumë nuk janë të sigurt se në cilën dorë duhet t’i mbajnë ato, majtas apo djathtas.

Tradita e mbajtjes së unazave daton që nga Egjipti i lashtë, Greqia e lashtë dhe Roma e lashtë. Edhe në atë periudhë unaza e martesës vihej në gishtin e katërt të dorës së majtë sepse besohej se në këtë gisht kishte një venë që shkon direkt në zemër dhe ky organ konsiderohet qendra emocionale e trupit, shkruan albeu.com.

Romakët e lashtë supozohet se e quanin këtë venë “vena amoris” (latinisht për “damar dashurie”). Mirëpo, më vonë u konstatua se nuk ka asnjë venë që shkon nga gishti i katërt deri në zemër, por pavarësisht kësaj, kjo traditë ka mbijetuar edhe sot e kësaj dite, kështu që unazat mbahen ende në të njëjtin gisht.

Nëse nuk doni të ndiqni traditën, sigurisht që nuk jeni të detyruar. Por është një nga mënyrat universale që njerëzit e tjerë të kuptojnë se jeni të zënë.

Unaza e fejesës simbolizon premtimin e martesës, dhe unaza e martesës vetëm e forcon atë. Gjatë ceremonisë së martesës, unaza e fejesës zakonisht transferohet në dorën e djathtë, kështu që ju mund ta vendosni unazën e martesës në të majtë. /albeu.com/