Gjatë vjeshtës nuk do të mungojë energjia në Kosovë
Korporata Energjetike e Kosovës do të hyjë e përgatitur për sezonet me të reshura, që zakonisht pasojnë pas stinës së verës.

Vjeshta është në prag, kurse zëdhënësi i KEK-ut Skënder Bucolli, thotë se tashmë të gjitha riparimet e nevojshme të blloqeve janë në përfundim.

“Ashtu si çdo vit më parë, KEK funksionon në bazë të planit vjetor, edhe sa i përket riparimeve. Të gjitha riparimet deri më tani janë në përfundim për të gjitha blloqet, të gjitha ato që kanë qenë të planifikuara, që do të thotë se KEK teknikisht është i përgatitur për këtë sezon dimëror”, potencoi Bucolli për Radio Kosovën.

Edhe pse sa i përket anës teknike të riparimit të blloqeve, zyrtarët e KEK-ut shprehen të gatshëm, megjithatë mbetet diçka që është në duart e qeverisë.

“Tash varemi kryekëput nga furnizimi me thëngjill, mirëpo kjo çështje nuk është në kompetenca të KEK-ut, tashmë kjo ka kaluar në duart e qeverisë dhe presim që edhe qeveria të reflektojë pozitivisht dhe të eliminojë këtë pengesë”, theksoi ai.

përgatitur shprehen edhe zyrtarë të shpërndarjes së energjisë, KEDS. Viktor Buzhala, parasheh furnizim stabil edhe gjatë vjeshtës e dimrit.

“KEDS me KESKO bashkë nga viti në vit janë kompani më të përgatitura, do të thotë dihet që ne në fillim kemi trashëgua një rrjet mjaft të vjetërsuar, në gjendje mjaft të rëndë, mirëpo, fal investimeve të vazhdueshme ky rrjet është në përmirësim. Sa i përket furnizimit sigurisht që parashohim të jetë stabil dhe i qëndrueshëm”, tha Buzhala.

Në raste kur konsumi mund të jetë më i lartë se sa prodhimi vendor që dominohet nga KEK, Buzhala thotë se zakonisht në ato raste importojnë energjinë për të siguruar furnizim të rregullt.

“Ne gjithmonë planifikojmë furnizimin në bazë të energjisë që e kemi në dispozicion nga prodhimi vendor dhe kësaj i shtojmë importim në rast se konsumi është më i madh se prodhimi. Pra, asnjëherë ne nuk parashohim reduktime, jemi mjaft të përgatitur në këtë drejtim dhe mendoj se gjithçka do të shkojë në rregull”, tha Buzhala.

Gjatë sezoneve me të reshura në stinën e vjeshtës, e posaçërisht të dimrit, viteve të kaluara ka pasur ndërprerje jo të pakta. Dimrin e kaluar, ishin disa zona me probleme ne furnizim me energji elektrike në Kosovë, kurse më së shumti kishte pësuar zona e Dragashit kur në janar të këtij viti kishte mbetur edhe deri në tri ditë pa rrymë.
Shtuar më 06/09/2017, ora 14:01
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori