Gjakova në protestë kundër Jabllanoviçit
Pas pak nis në Gjakovë protesta ku do të kërkohet dorëheqja e Ministrit për Kthim dhe Komunitete, Aleksandër Jabllanoviq, i cili pak ditë i quajti gjakovarët egërsira.

Këshilli organizues i protestave, që kësaj radhe në përbërje është zgjeruar me aktivistë nga shoqëria civile, disa OJQ që veprojnë në Gjakovë, përfshirë OJQ-në "Thirrjet e Nënave", më pas përfaqësuesit e OVL të UÇK-së në Gjakovë, si dhe përfaqësuesit e subjekteve politike që veprojnë në këtë qytet, sot, në ora 14:00 nisin protestën, ndërsa pak orë më parë qytetarët kanë nënshkruar dëshminë për kallëzim penal, ndaj fyerjeve që ju bëri qytetarëve të Gjakovës, respektivisht nënave gjakovare, ministri serb i qevderisë së Kosovës.


Këshilli punues i shoqërisë civile në Gjakovë, duke u thirrur në Kodin Penal të Republikës së Kosovës, neni 147, ka marrë këtë iniciativë për mbledhjen e dëshmive të qytetarëve.

Sipas ligjeve në fuqi të Republikës së Kosovës, në rast të deklaratave publike të cilat nxisin urrejtje, përçarje ose mos durim kombëtar, racor, fetar apo etnik, atëherë bëhet shkelje e Kushtetutës së vendit dhe ligjeve të saj. /albeu.com/

KODI PENAL I REPUBLIKËS SË KOSOVËS Neni 147:

Nxitja e urrejtjes, përçarjes ose mos durimit kombëtar, racor, fetar apo etnik

1. Kushdo që nxit ose përhap publikisht urrejtje, përçarje ose mos durim midis grupeve kombëtare, racore, fetare, etnike apo grupe tjera të tilla që jetojnë në Republikës e Kosovës, në mënyrën e cila mund të prishë rendin publik, dënohet me gjobë ose me burgim deri në pesë (5) vjet.

2. Kushdo që në mënyrë sistematike ose duke keqpërdorur pozitën apo autorizimet e tij kryen veprën nga paragrafi 1. i këtij neni ose shkakton trazira, dhunë ose pasoja të tjera të rënda me kryerjen e veprës së tillë, dënohet me burgim prej një (1) deri në tetë (8) vjet.

Ministri për Kthim dhe Komunitete, Aleksandër Jabllanoviq, ofendoi rëndë protestuesit në Gjakovë, në një deklaratë të tij dhënë mediave me datë 6 janar. Ai atë mbrëmje, ndër të tjera, deklaroi:

“Kjo është festë e shenjtë dhe e madhe. Egërsirat që i parandaluan serbët për të ardhur në shtëpitë e tyre të djegura, nuk do t'i shërbejnë askujt. Ne do të kërkojmë llogari nga ministri i Brendshëm për këtë që ndodhi”.
Shtuar më 17/01/2015, ora 13:58
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori