Gëzimi i kushton burg pejanit
Pëlqej
Gjykata Themelore në Pejë e ka shpallur fajtor të akuzuarin për shkaktim të rrezikut të përgjithshëm dhe armëmbajtje pa leje, Arijan Sjarina.

Ai akuzohej se më 20 maj të këtij viti, pas përfundimit të ndeshjes së futbollit ndërmjet Prishtinës e Dritës, që ishte zhvilluar në Pejë, ka shkaktuar rrezik të madh për jetën e njerëzve dhe të dëmtuarve Dibran Kadriu, Endrit Pajaziti dhe Engjell Zulfija, duke shtënë me armë në drejtim të veturës së tyre.

Sipas aktgjykimit të shpallur nga gjykatësi Murat Hulaj, i akuzuari Sjarina, për veprën penale shkaktim të rrezikut të përgjithshëm, është dënuar me gjashtë muaj burgim, i cili dënim, mund të zëvendësohet me pëlqimin e të akuzuarit në dënim me gjobë.

Kurse, për pikën e dytë të aktakuzës lidhur me veprën penale të armëmbajtjes pa leje, të pandehurit Sjarina, i është shqiptuar dënim me gjobë në shumë prej 600 eurosh, në afat pagese prej nëntëdhjetë ditësh.

Ndërsa, koha e kaluar në paraburgim prej 22 maj deri më 13 gusht 2018, do t’i llogaritet në shqiptimin e dënimit me gjobë.

Ndaj të pandehurve Albert Kastrati dhe Dardan Doda, të cilët akuzoheshin për dhënien e ndihmës pas kryerjes së veprës penale, gjykata mori aktgjykim refuzues, meqenëse prokurorja Suada Hamza, në mungesë të provave, kishte hequr dorë nga ndjekja penale ndaj të pandehurve.

Në shpalljen e aktgjykimit, kanë munguar i pandehuri Sjarina dhe mbrojtësi i tij, avokati Zeqir Bërdynaj si dhe prokurorja e shtetit, Suada Hamza.

Palët e dëmtuara Dibran Kadriu, Endri Pajaziti dhe Engjell Zulfija, për kërkesën pasurore juridike janë udhëzuar në kontest civil.

I pandehuri Arijan Sjarina në seancën e shqyrtimit kryesor të mbajtur më 13 gusht 2018, kishte pranuar fajësinë për akuzën që i vihet në barrë.

Sipas aktakuzës së ngritur më 14 qershor 2018 nga Prokuroria Themelore në Pejë, Arijan Sjarina akuzohet se me 20 maj të këtij viti, në Pejë me armë zjarri, shkakton rrezik të përgjithshëm për jetën e njerëzve dhe atë të dëmtuarve Dibran Kadriu, Endrit Pajaziti dhe Engjell Zulfija.

Gjithmonë sipas aktakuzës, pas përfundimit të ndeshjes në futboll ndërmjet klubit të Dritës nga Gjilani dhe të Prishtinës, e zhvilluar në Pejë, i pandehuri si pasagjer në veturën “Seat-Ibiza”, së bashku me Albert Kastrati dhe Dardan Doda, nisën me veturë për në Prishtinë dhe me të arritur tek pompa e derivateve “Hib Petrol”, në Pejë, i pandehuri Sjarina, nxjerr gjysmën e trupit jashtë veturës dhe me revole shtie në veturën e markës “Opel”, e cila po lëvizte para veturës së të pandehurit, duke e goditur veturën, ku gjendeshin tifozë të Dritës nga Gjilani.

Siç thuhet në aktakuzë, deri te ky rast kishte ardhur pasi paraprakisht ishin lënduar disa tifozë të Prishtinës, gjatë disa përleshjeve që kishin ndodhur në Pejë, kur po zhvillohej ndeshja e fundit kampionale ndërmjet këtyre dy skuadrave.


Shtuar më 14/08/2018, ora 16:57
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori