George Robertson, me prejardhje shqiptare
Gjatë qëndrimit të tij në Kosovë, ish-sekretari i NATO-s, Lord George Robertson, ka bërë publike një zbulim të cilin as vet ai nuk e ka ditur kur ka intervenuar në Kosovë. Robertson ka thënë se në bazë të një testi të ADN-së, ka dalë se një përqindje e gjeneve nga ana e babit janë shqiptare.

Ish-sekretari i NATO-s, Robertson në kuadër të vizitës së tij në Kosovë ka zhvilluar një ligjëratë me studentët e Kolegjit Universum në Prishtinë.

Gjatë bisedës së tij me studentët, Robertson ka folur me admirim për të arriturat e shtetit të Kosovës që nga viti 1999 deri sot. Ai gjithashtu foli për disa momente shumë të rëndësishme që çuan drejt intervenimit të NATO-s në Kosovë, duke e përsëritur thënien: |Serbët jashtë, NATO të intervenojë, refugjatët të kthehen në shtëpi".

Gjatë ligjëratës me studentë, Robertson nuk la pa folur edhe për përgjegjësinë e rinisë kosovare, duke kërkuar nga ata që të jenë më vigjilentë dhe më këmbëngulës në përmirësimin e jetës në vend.

Ai gjithashtu kërkoi nga të rinjtë që të ardhmen ta ndërtojnë në Kosovë dhe jo përmes migrimit në vendet perëndimore. "Mund të ikni dhe ta varfëroni vendin, apo mund të qëndroni dhe ta ndërtoni shtetin tuaj", tha Robertson.

Ish-sekretari i NATO-s, Lord Robertson, zbuloi përpara studentëve se ka prejardhje shqiptare nga ana e familjes së babait. Ai tha se një test i ADN-së të cilin e kishte bërë kohë më parë, ka zbuluar se një përqindje e gjeneve nga ana e babit janë shqiptare.

Robertson zbuloi se nuk ka qenë në dijeni për këtë sa ishte sekretarë i NATO-s, mirëpo, ky fakt e lidh edhe më shumë me Kosovën.

Në fund, Lordi Robertson tha se gazi lotsjellës dhe dhuna ndaj ndërtesave të institucioneve nuk është zgjidhje.

Ai gjithashtu tha se është përgjegjësi e politikanëve kosovarë që të parandalojnë korrupsionin nëse dëshirojnë që ky vend, me miq të shumtë nga e gjithë bota, të përparojë dhe të integrohet në BE dhe NATO. /albeu.com/

Shtuar më 19/01/2016, ora 16:03

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori