Gazetari Morina zbulon skandalin: "E dimë që është ba gabim, por s’keni çare pa e pranu edhe ju!"
Kanë dalur informacione befasuese dhe madje shkatërruese për zyrtarët e shtetit që mbështesin demarkacionin, në emisionin debatues në Radio Kosovë, ku është diskutuar çështja e demarkacionit.

Dr.Jeton Kelmendi ka hedhur si një bombë dilemën se shqiptarët duhet të zgjedhin nëse duan t’ia japin 8.230 hektarë Malit të Zi, në këmbim të Hashim Thaçit.

“Problem është se a më shtrenjtë i kushton Kosovës lëkura e Hashim Thaçit apo demarkacioni sipas Komisionit Meha, me Malin e Zi, pasi nuk ka më asnjë dilemë shkencore se Kosova humb mbi 82 km katrorë tokë”, tha Kelmendi, ligjërues i marrëdhënieve ndërkombëtare në universitet.

Ndërsa, gazetari Idriz Morina, njëri nga ata që e ka hetuar këtë çështje në thellësi të saj, ka shokuar duke nxjerrë fakte të paditur deri më tash nga opinioni publik. Duke argumentuar jo vetëm se Kosova humb territorin prej 8.230 hektarësh, por ka faktuar se presioni aktual dhe i shkuar nga presidenti Hashim Thaçi, mbështetet në propagandë dhe se janë të ndërgjegjshëm për gabimin. Morina deklaroi: “Ish ministra nga Qeveria paraprake, i kanë bërë presion të drejtpërdrejtë Komisionit të ri për demarkacionin, duke i deklaruar tekstualisht: “Ne e dimë që demarkacioni është gabim, por ju pavarësisht rezultateve, në fund do ta mbyllni çështjen sipas versionit të Komisionit Meha! S’keni rrugë tjetër””.

Ndërkohë, që profesori në Fakultetin e Makinerisë Ali Muriqi, tha se ka siguruar disa fakte, pos atyre të prezantuara deri tani, si kërkesat për mirëmbajtjen e rrugëve, të cilat argumentojnë se Kosova humb territor.

Gazetari Idriz Morina duke iu rikthyer, temës së demarkacionit, ka folur edhe për qasjen e mediave ndaj demarkacionit, i pyetur për këtë nga autori i emisionit Nazmi Misini, ka deklaruar se shumica e mediave dhe veçanërisht ato që njihen si mein strim, kanë dështuar në paraqitjen e të vërtetës dhe kjo duket se ka qenë e qëllimshme, qoftë për shkak të ndikimit nga institucionet, qoftë nga interesat tjera, nuk i janë qasur problemit as në aspektin historik, as në hulumtimin e problemit në thellësinë e tij, të fakteve nga dyja palët, dhe kanë ndihmuar në krijimin e tezës se kundërshtuesit e demarkacionit po e pengojnë liberalizimin e vizave, për interesa të tyre, dhe jo duke e shtjelluar me qëllim të zbardhjes së të vërtetës.

Ndërsa, ligjëruesi Kelmendi ka deklaruar se kjo çështje duhet të dërgohet sa më parë në Kuvend, bile se është vonuar qeveria për këtë, dhe që Kuvendi ta rrëzojë, mos ta ratifikojë marrëveshjen e bërë nga ish ministrat Thaçi dhe Hyseni, dhe pastaj ti hapet rrugë dërgimit të çështjes në arbitrazh ose në rinegociim.

Ndërkohë, që presidenti Hashim Thaçi po e vazhdon presionin ndaj Komisionit të ri, duke provuar ti tallë e provokojë profesionalisht, sikurse ka aktivizuar edhe ministra të tij në Qeverinë aktuale, që ti bëjnë presion të vazhdueshëm Komisionit, që ta pranojë variantin e vjetër, pavarësisht që ai dhe ata e dinë, se qëllimisht kanë vendosur gabimisht. /shqiptari.eu/
Shtuar më 08/11/2017, ora 00:10
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori