Luan Baçi pozicionohet krah Berishës: PD do të dalë më e fortë

Deputeti i PD-së Luan Baçi, mesa duket është pozicionuar përkrah ish-kryministri Sali Berisha, pasi do të jetë prezent në takimin e këtij të fundit në Fier.

Baçi është edhe kreu i degës së PD-së në Fier duke dhënë kështu një mesazh të fortë ndaj kryedemokratit Lulzim Basha, i cili është këto ditë nën breshërinë e akuzave të Berishës për marrëveshje me Ramën dhe shitje të bazës së demokratëve.

I pyetur nga gazetarët e pranishëm se përse ndodhet në këtë organizim të Berishës kundër Bashës, Baçi u shpreh se PD nuk është as e kreut aktual dhe as e ish-kryeministrit, por e demokratëve. Prandaj, sipas tij, pas këtyre debateve partia pritet të dalë me e fortë.

“Jam pjesëmarrës si të gjithë anëtarët dhe simpatizantët e PD-së së Fierit. Ka një lloj entuziami nga strukturat e PD-së së Fierit për të qënë këtu. Ka patur një thirrje mes anëtarëve të PD-së për të marrë pjesë në këtë foltore dhe absolutisht unë jam një prej tyre”, tha Baçi duke theksuar se përkrahte vetëm PD-në.

“Nga kjo lëvizje që ndoshta doli spontanisht, PD do të dalë më e fortë”, vijoi ai, ndërsa aktiviteti pritet të nisë për disa minuta.


Shtuar 21.09.2021 17:56