Fushatë pa prioritete, liderët s'kanë plane për demarkacionin, ushtrinë dhe asosacionin
Partitë politike nuk kanë ide dhe plane konkrete se si do të zgjidhet çështja e Demarkacionit, Asociacionit dhe krijimi i Ushtrisë së Kosovës në qeverisjen e ardhshme.

Kështu vlerësuan analistët vendor në një prononcim për Telegrafin.

Ramush Tahiri, në një prononcim për Telegrafin tha se për asnjërën nga këto çështje nuk ka plan të saktë.

Ai tha se për dy marrëveshjet e Brukselit – Demarkacioni dhe Asociacioni, është krijuar opinion negativ tek qytetarët dhe asnjë subjekt sipas tij, nuk deklarohet nëse është pro tyre.

“Projektligji i Demarkacionit është i gatshëm dhe vetëm pritet ratifikimi i tij. Sa i përket Asociacionit të komunave gjithashtu është marrëveshja- korniza, pritet mendim i gjykatës dhe do të rregullohet. Mirëpo për të dyja është krijuar opinion negativ tek qytetarët e Kosovës dhe asnjë subjekt nuk deklarohet që është pro tyre pa marrë parasysh se kush i thërret Ulrike Lunacek apo kushdo qoftë nga Evropa. Të dyja partitë e koalicionit formalisht deklarohen kundër Demarkacionit dhe Asociacionit dhe pak a shumë kanë rënë në pozitat e Vetëvendosjes, në rishqyrtim. E, si do t’i rishqyrtojnë nëse e marrin pushtetin? Nuk ka asnjë projekt, as ide të saktë”, ka thënë Tahiri.

Ai gjithashtu foli edhe për krijimin e ushtrisë së Kosovës i cili tha se është vështirë të krijohet ushtria pa votën e minoriteteve.

“Çështja e ushtrisë është çështje edhe e procedurave edhe e ndryshimeve Kushtetuese. Mënyra se si formohet ushtria është ndryshim kushtetues, me 2/3 e votave të deputetëve plus votat e shumicës kualifikuese të minoriteteve. E në këtë gjendje është e parealizueshme. Këta mund të nxjerrin urdhër që ta formojnë një ushtri të përkohshme mirëpo ushtria nuk mund të kaloj në veri të Kosovës pasi KFOR-i nuk e lejon”, shtoi tutje Tahiri.

Ndërkaq, Imer Mushkolaj, në një prononcim për Telegrafin ka thënë se nevojitet konkretizim i mënyrës se si do të realizohen këto premtime.

Sipas tij, më shumë janë deklarata për konsum elektoral, se sa hapa konkret se si do të gjendet zgjidhja.

“Liderët partiakë nuk janë realistë në premtimet për këto çështje. Njerëzit duan të dinë konkretisht dhe në mënyrë të detajuar si do të procedohet me këto çështje problematike”, ka thënë Mushkola. /Telegrafi/
Shtuar më 07/06/2017, ora 10:02
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori