Fushata nis me premtime milionëshe
E mërkura e kësaj jave ka shënuar hapjen zyrtare të fushatës zgjedhore. Kandidatët e subjekteve për kryeministërKosovës kanë paraqitur një sërë premtimesh para qytetarëve, duke përfshirë këtu edhe investimet milionëshe në disa sektorë.

Gjatë ditës së djeshme ka nisur zyrtarisht fushata për zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Prishtina, Mitrovica e Theranda kanë qenë qytetet në të cilat subjektet politike kanë zgjedhur t’i mbajnë tubimet e para në kuadër të fushatës zgjedhore. Gjatë fjalës së tyre kandidatët për kryeministër të Republikës së Kosovës u zotuan para qytetarëve për përmirësim të cilësisë së arsimit, shëndetësisë e për luftë ndaj korrupsionit e nepotizmit. Në tubimet e para të fushatës nuk munguan as premtimet për investime milionëshe.

Kandidati për kryeministër nga Lëvizja Vetëvendosje, Albin Kurti, u zotua për investim të milionave në një varg fushash, duke përfshirë këtu 160 milionë euro investime në arsim përgjatë një mandati. Ndonëse kandidatët e tjerë të subjekteve politike nuk ua bashkëngjitën koston financiare premtimeve, nuk lanë pa i siguruar qytetarët se do ta përmirësojnë gjendjen në këta sektorë dhe se do t’i japin fund izolimit të Kosovës. Edhe pse zgjedhjet do të mbahen më 6 tetor, të gjithë kandidatët shpallën fitoren dje – qysh në nisje të fushatës.

Osmani: Programi ynë do t’ia hapë Kosovës dyert e mbyllura

Kandidatja për kryeministre nga LDK-ja Vjosa Osmani u shpreh e vendosur se ky subjekt do të dalë triumfues në zgjedhjet e tetorit. Gjatë fjalimit të saj të mbajtur në hapjen e fushatës në Prishtinë Osmani tha se me fitoren e LDK-së do t’i thuhet lamtumirë qeverisjes së keqe në Kosovë.

Qeveria nën udhëheqjen e LDK-së sipas saj do t’i hapë Kosovës shumë dyer të mbyllura.

“Programi ynë do t’ia hapë Kosovës dyert e mbyllura dhe do ta kthejë shtetin tonë në rrugën e drejtë të demokracisë së njëmendtë. Qeveria e udhëhequr nga LDK-ja do ta shpërthejë izolimin e Kosovës. Republika e Kosovës nuk ka nevojë për një qeveri megalomane”, potencoi ajo.

Qeveria e LDK-së, siç Osmani u shpreh, do të ndërmarrë hapa të shpejtë për dekriminalizimin e sistemit të drejtësisë dhe të sigurisë, duke përfshirë vetingun.

Ajo më tutje u zotua se do të krijojë klimë sigurie për të gjitha bizneset private, se do të investojë në arsim, në shëndetësi dhe në kinematografi. Krejt në fund Osmani tha se LDK-ja do ta përmbyllë edhe procesin e integrimit të Kosovës.

Veseli: Vetëm ne mund ta luftojmë korrupsionin

PDK-ja ka hapur fushatën në qytetin e Mitrovicës. Gjatë fjalimit të tij kandidati për kryeministër nga ky subjekt, Kadri Veseli, siguroi qytetarët për fitore. Sikurse në tubimet para fushatës, edhe këtë herë Veseli u zotua për luftim të korrupsionit.

“Kosova duhet të bëjë një zgjidhje, një luftë pa kompromis kundër korrupsionit. Vetëm ne mund ta bëjmë këtë luftë. Të gjitha ata që pretendojnë të jenë më të mëdhenj se ligji do t’i ndalim. Ne do të jemi fuqia që lufton korrupsionin”, deklaroi ai.

Veseli më tej u zotua për përforcim të partneritetit me ndërkombëtarët dhe për mbrojtje të sovranitetit të Kosovës. “Për ta ndërtuar të ardhmen e një Kosove që mbron territorin dhe sovranitetin dhe fuqizon partneritetin me SHBA-në e BE-në”, potencoi ai, transmeton gazeta “Zëri”.

Kurti: Investimet në arsim do të rriten për 160 milionë euro


Edhe LVV-ja hapjen e fushatës e bëri në Mitrovicë. Teksa u shpreh i sigurt në fitore, kandidati i LVV-së për kryeministër, Albin Kurti, tha se 6 tetori është momenti i fundit për ta shpëtuar Kosovën. Në kuadër të fjalimit të tij Kurti u zotua për investime milionëshe në fusha të ndryshme.

“Investimet kapitale në arsim do të rriten për 160 milionë euro për katër vjetët e ardhshëm, 120 milionë në shëndetësi, do të ofrojmë 1000 bursa për vajzat studente, 8 mijë grante në vlerë prej 80 milionë eurosh për të rinjtë që orientohen kah ndërmarrësia”, deklaroi ai, teksa shtoi se çerdhet për fëmijët do të bëhen falas.

Investime, siç ka thënë Kurti, do të ketë edhe për sportin e kulturën.

“Për mërgatën tonë merr fund zhvatja në kufi dhe fillon votimi nëpër konsulata dhe ambasada. Për energji efiçiente 40 milionë euro, për sportin dhe kulturën do të ndahen 140 milionë euro”, nënvizoi Kurti.

Ahmeti: Do ta mbrojmë Kosovën 100 për qind

Gjatë hapjes së fushatës në Therandë përfaqësuesit e koalicionit AAK-PSD u zotuan për mbrotje 100 për qind të territorit të Kosovës. Kandidati për kryeministër i këtij koalicioni Ramush Haradinaj gjendet për vizitë në SHBA, ndërkaq kryetari i PSD-së Shpend Ahmeti, i cili njëherësh është kandidat për deputet nga ky koalicion, tha se Kosova mund të ecë përpara vetëm nëse ka territor të plotë.

“Slogani ynë është jo vetëm 100 për qind taksa, por është 100 për qind Kosovë. Pra Kosova nuk është e plotë nëse japim komuna, territor. Kosova mund të përparojë vetëm nëse e ka territorin e plotë 100 për qind Kosovë”, deklaroi Ahmeti.

Kreu i PSD-së më tej tha se ende nuk ka kaluar rreziku sa i përket ndarjes së Kosovës. Pikërisht për këtë çështje sipas tij u shkaktuan edhe zgjedhjet e parakohshme.

“Të dielën, më 6 tetor, kur të shkoni në kutitë e votimit nuk jeni duke votuar për Shpendin, Ramushin e të tjerët, por jeni duke votuar për Kosovën”, potencoi Ahmeti.

Limaj: Koaliconi Nisma-AKR, befasia e zgjedhjeve

Kandidati për kryeministër nga koalicioni Nisma-AKR, Fatmir Limaj, është shprehur i bindur se ky koalicion do të jetë befasia e 6 tetorit. Gjatë tubimit të mbajtur në kuadër të hapjes së fushatës zgjedhore në Prishtinë Limaj tha se koalicioni Nisma-AKR do t’i japë Kosovës drejtim tjetër.

“Ky koalicion do të jetë befasia spektakolare e këtyre zgjedhjeve, ku praktikisht Kosovës do t’i jepet drejtim tjetër”, deklaroi ai.

Në kuadër të zotimeve Limaj premtoi se do miratohet ligji për gratë lehona.

“Gratë nuk do të jenë më të heshtura, të përbuzura, sepse ky koalicion do të nxjerrë në parlament e në qeveri ligjin për lehonat, gratë dhe motrat tona shtatëzëna”, shtoi kreu i Nismës. Pos kësaj, Limaj u zotua edhe për shtesat e fëmijëve.

“Ky koalicion do t’i fusë shtesat e fëmijëve për të pasur mundësi që fëmijët t’i rrisni me dinjitet”, u shpreh ai, teksa premtoi edhe reformë pensionale.

/zeri/
Shtuar më 26/09/2019, ora 09:18

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori