Fushata e njëjtë me herët e kaluara
Investim qindra-miliona eurosh. Dyfishim të rritjes ekonomike. Zona ekonomike në secilin qytetet të Kosovës. Rritje të pagave e të pensioneve. Hapje të dhjetëra-mija vendeve të reja të punës. Këto janë disa prej premtimeve, me anë të të cilave partitë politike po ua premtojnë “parajsën” qytetarëve. Por kjo ëndërr e bukur pritet të përfundojë pas të dielës, meqë vlerësohet se shumë prej këtyre zotimeve janë krejtësisht të parealizueshme, shkruan Gazeta "Zëri".

Rasim Alija ka konsideruar se partitë janë duke vazhduar rrugën e ngjashme me herët e kaluara sa u përket premtimeve.

“Kam pritur që të paktën në këto zgjedhje do të ndryshojë ky trendi i premtimeve megalomane, në krahasim me vitin 2017 dhe 2014 ku premtoheshin 200 mijë vende pune. Por po shohim që trendi i premtimeve është i njëjtë, sidomos kah fundi i fushatës, ku tentohet të merren sa më shumë vota dhe të bindet elektorati i pavendosur”, ka thënë ai për "Zërin".

Edhe politologu Ramush Tahiri ka vlerësuar se fushata e tanishme nuk ka ndonjë dallim me ato të mëparshmet.

Fushata, premtimet nuk kanë shumë ndryshim. Edhe përpara janë premtuar gjëra të njëjta, edhe tash. Megjithëkëtë shifrat dallojnë, numri i të papunëve, punësimet që i planifikohen. Dallojnë edhe shifrat për rritje ekonomike”, ka deklaruar Tahiri për "Zërin".


Por sipas tij është keq që tërë premtimet për përparim dhe për perspektivë mbështeten vetëm në buxhet të shtetit e jo në investime të huaja.

Sido që të jetë, Tahiri ka thënë se pas të dielës të gjithë do t’i kthehen realitetit, rrjedhimisht do të marrë fund “parajsa” e premtuar nga politikanët, pasi fushata çdoherë karakterizohet me fjalë të mëdha - boshe, për perspektivë e ndryshim të vendit.
Shtuar më 03/10/2019, ora 14:31
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori