FSK-ja nuk do të jetë etnike
Ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), Rrustem Berisha, ka theksuar se ky mekanizëm nuk do të ndahet brenda tij në njësi etnike.

Ai në një intervistë për Telegrafin ka thënë se në kuadër të FSK-së është tejkaluar kuota e pjesëmarrjes prej 10 për qind të pjesëtarëve të pakicave, duke shtuar se është pjesë e rregullores që rritja në grada dhe avancimi të bëhet mbi baza profesionale, pavarësisht cilës përkatësi etnike i takon.

“Secili pjesëtar i FSK-së e ka të qartë mënyrën e gradimit, dhe secili prej tyre e di që për ta marrë një gradë, se çfarë duhet të arrijë. Ne nuk mund t’i shkelim këto rregullore dhe ligje. Në anën tjetër, gradat e pjesëtarëve të komunitetit jo shumicë, janë më të ulëta, sepse ata i takojnë moshave ta reja – janë në fillim të karrierës së tyre.

Nuk lejohet as me rregullore dhe as me ligj, që toger ose kapiten, të bëhet kolonel ose gjeneral. Kjo është e padrejtë ndaj pjesëtarëve të tjerë që janë angazhuar aty. Është diskutuar shpesh që ta marrin ndonjë oficer të policisë dhe ta sjellin në FSK. Kjo çështje mbetet të diskutohet dhe të zgjidhet opsioni me i mirë edhe për komunitetin jo shumicë por edhe për strukturën e FSK”, ka theksuar Berisha.

Ai ka thënë se duhet të punohet në unifikimin e standardeve dhe jo të ngrisin njësi të veçanta. Thotë se asnjë ushtri në botë nuk shkon drejt ndarjes dhe parcializimit të saj, duke shtuar, se përpjekjet dhe angazhimi i institucioneve të Kosovës mbetet unifikimi i veprimeve dhe standardeve, dhe jo ngritja e njësive të veçanta.

Berisha ka folur edhe për buxhetin e ndarë për FSK-në për vitin 2018, duke theksuar se krahasuar me vitin paraprak ka një rritje të buxhetit prej 5 për qind.

“Sa i përket buxhetit, me misionin aktual që e kemi, mund të realizojmë objektivat dhe qëllimet tona. Nëse mendojmë për transformim, sigurisht, sipas vendimit për transformim ky buxhet do të ketë rritje, sepse ashtu është paraparë me vendimin e rishikimit strategjik të sektorit të sigurisë. Na është thënë edhe prej ministrit të Financave, që sipas ndryshimit të misionit do të shqyrtohet të ketë edhe rritje të buxhetit”, ka theksuar Berisha.


Shtuar më 02/01/2018, ora 08:34

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori