Frikësohet Meha, thotë se nuk do të punojë për demarkacionin
Kryeshefi i Agjencisë Kadastrale, Murat Meha, ka zbutur fjalët dhe ka ndryshuar qëndrimin në lidhje me kërkesën e Qeverisë për pezullim të “aktiviteteve paralele”. Ka thënë se do ta respektojë atë sapo t’u shkojë në formë vendimi.

Ndryshimi i qëndrimit të Mehës është bërë për shkak se Qeveria është duke shqyrtuar shkarkimin e tij nga posti i kryeshefit ekzekutiv.

Ndryshe nga siç kishte deklaruar në korrespodencat që ka publikuar “Koha Ditore” një ditë më parë, tani Meha ka thënë se do t’i bindet urdhrit për ndaljen e paralelizmave, që Qeveria i konsideron pengesë për Komisionin Shtetëror për Shënjimin dhe Mirëmbajtjen e Kufirit.

Ky komision, mes të tjerash, duhet t’i verifikojë edhe gabimet e Komisionit paraprak të udhëhequr nga Meha në shënimin e kufirit me Malin e Zi.

Meha, përmes Agjencisë Kadastrale, në reagimin ndaj shkrimit të “Kohës Ditore” nuk ka përmendur “shantazhet”, “inkuizicionin” e as “kërcënimet” e Qeverisë, ashtu siç ka bërë në e-mailin dërguar zyrtarëve qeveritarë më 16 tetor.

Agjencia Kadastrale e Kosovës ka thënë se demanton lajmin e gazetës se ka pranuar ndonjë vendim qeveritar për ndalimin e çfarëdo aktiviteti të saj, ose të ketë pranuar ndonjë vendim qeveritar ku ngriten “dyshimet qeveritare për aktivitete paralele”.

Por gazeta kurrkund në artikull nuk ka thënë se ka vendim qeveritar, por vetëm kërkesë drejtuar AKK-së që të mos zhvillojë “aktivitete paralele”, për shkak të ndjeshmërisë së procesit rreth demarkacionit.
Shtuar më 20/10/2017, ora 08:04

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori