Thaçi nderon me titullin “Hero i Kosovës” policin e humbur në detyrë

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi ka ndarë sot urdhrin “Hero i Kosovës” për policin Sami Thaçi, i cili u vra të martën mbrëma në Zhur të Prizrenit, gjatë një bastisjeje në një shtëpi.

Presidenti Thaçi tha se sakrifica e policëve në mbrojtje të rendit dhe ligjit i obligon që të punojnë edhe më shumë për një Kosovë të qetë e stabile dhe një vend më të mirë për gjithë qytetarët.

“Polici i rënë në krye të detyrës, Sami Thaçi, është heroi më i ri i Republikës së Kosovës. Duke u bazuar në kompetencat e mia kushtetuese, sot për policin Sami Thaçi ndava urdhrin ‘Hero i Kosovës’. Heroizmi i Samiut, Enverit, Izetit dhe i dhjetëra policëve të rënë në krye të detyrës është krenari e Republikës së Kosovës. Sakrifica e tyre në mbrojtje të rendit dhe ligjit na obligon që të punojmë edhe më shumë për një Kosovë të qetë e stabile dhe një vend më të mirë për gjithë qytetarët”, shkruan presidenti.

Ndryshe, të martën mbrëma nga një shpërthim është vrarë polici Sami Thaqi gjatë një bastisjeje në një shtëpi në Zhur të Prizrenit, si dhe janë plagosur dy policë.


Shtuar 29.01.2020 14:13