Franca mbështet zgjidhjen e problemit në veri
Jakup Krasniqi
Kryetari i Kuvendit Jakup Krasniqi gjatë vizitës në Paris ka marrë mbështetjen franceze për integritetin territorial të Kosovës dhe zgjidhjen e problemeve në veri të vendit, por gjithashtu është sugjeruar që të vazhdohet me adoptimin e legjislacionit të Kosovës me standardet evropiane.

Krasniqi, i cili është në krye të një delegacioni të Kuvendit, në kuadër të vizitës zyrtare në Francë, është pritur të mërkurën në takime të ndara në Komisionin për Çështje Evropiane të Asamblesë Nacionale, të kryesuar nga Pierre Lequiller, kryetar i Komisionit dhe në Grupin e Miqësisë Francë – Kosovë, të udhëhequr nga Christian Menard.

Kryekuvendari Krasniqi me këtë rast i shprehu mirënjohje Francës për të gjithë mbështetjen që ajo e ka dhënë për Kosovën në të gjitha proceset e deritanishme. Ai kërkoi vazhdimin e mbështetjes së Francës dhe të të gjitha institucioneve të saj, në procesin e integrimit evropian të Kosovës.

Kryetari i Komisionit për Çështje Evropiane, Pierre Lequiller, duke rikonfirmuar mbështetjen franceze për Kosovën, ndër të tjera, foli për adoptimin e legjislacionit të Kosovës me standardet evropiane, gjë që, sipas tij, është një punë e gjatë dhe e vështirë, dhe i uroi Kosovës që të arrijë përparim në këtë rrugë.

“Sikurse në Komisionin për Çështje Evropiane, ashtu edhe në Grupin e Miqësisë, kishte përkrahje të plotë për integritetin territorial të Kosovës dhe zgjidhjen e problemeve në veri të vendit”, njofton nëpërmjet një komunikate Zyra për media dhe marrëdhënie me publikun e Kuvendit të Kosovës.

Zyrtarët e lartë francezë, siç theksohet më tej në komunikatë, shfaqën qëndrimin e tyre për vazhdimin e dialogut dhe gjetjen e sa më shumë zgjidhjeve për probleme teknike.

Lequiller theksoi se duhet të ketë më tepër një dialog me popullsinë në veri dhe një bashkëveprim me KFOR-in dhe EULEX-in, sepse, sipas tij, “nga çdo situatë duhet të na nxjerrë dialogu”.

Ai, gjithashtu, shfaqi besimin që deri në fund të këtij viti do të hapet dialogu për liberalizimin e vizave dhe konfirmoi mbështetjen në këtë proces.

Temë bisedimi në këto takime ishte edhe integrimi i pakicave kombëtare dhe përparimi që ka bërë Kosova në këtë drejtim dhe në zbatim të Pakos së Ahtisaarit. Përkitazi me këtë, kryetari Krasniqi tha se Kosova ka vendosur standarde të reja në respektim dhe njohje të të drejtave të komuniteteve pakicë.
Shtuar më 02/11/2011, ora 21:21
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori