Fol: Korrupsioni as po hetohet, as po ndëshkohet
Gjatë gjashtëmujorit të parë të këtij viti, janë vënë në pah mungesa serioze e zyrtarëve të lartë publikë në krijimin e një kornize efektive antikorrupsion. Kështu thanë zyrtarë të Lëvizjes Fol, gjatë publikimit të raportit “Monitoruesi i Korrupsionit - shifrat e korrupsionit në Kosovë”.

Departamentet e krimeve të rënda të prokurorive themelore si dhe speciale të Kosovës kanë pranuar afro 280 kallëzime penale. Nga viti i kaluar, prokuroria ka trashëguar afërsisht numër të njëjtë të kallëzimeve penale, ndërkaq në fund të periudhës raportuese kanë mbetur të pazgjidhura mbi 1100 raste, transmeton rtk raportin.

Më mirë, sipas këtij raporti, nuk qëndrojnë as gjykatat e rregullta themelore, të cilat kanë zgjidhur vetëm 14 lëndë, nga të cilat 2 lëndë kanë përfunduar me dënim me burg. Po këto gjykata i kanë gjithsejtë 225 lëndë të pazgjidhura, thuhet në raportin e Lëvizjes Fol.

Ndërkaq, statistikat e Drejtorisë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsion nga Policia e Kosovës, pasqyrojnë se ky Departament në gjashtë mujorin e parë të vitit ka hetuar afro 390 raste dhe ka arrestuar gjithsejtë 49 zyrtarë të ndryshëm publikë./albeu.com/

Më tej, Qeveria e Kosovës ka nxjerrë 183 vendime nga të cilat vetëm 1 ka qenë në “luftë” kundër korrupsionit. Kenan Tora nga Lëvizja Fol, tha se statistikat mund t’i vlerësojë secili në mënyrën e vet.

“Qëllimi është që këto statistika ti mundësojnë secilit që në mënyrën e vet të vlerësojë për përpjekjet e bëra apo hapësirën për përpjekje të reja në luftën kundër korrupsion, pra të paraqitet një pasqyrë që secila mund të vlerësojë në mënyrën e vet”, tha ai.

Kurse sipas vlerësimit të Lëvizjes Fol, angazhimet e institucioneve në luftën kundër korrupsionit nuk janë të mjaftueshme, sepse, siç tha hulumtuesi Kenan Tora, “po të ishte e mjaftueshme nuk do të ishte një gjendje kaq e keqe dhe një nivel kaq i lartë i korrupsionit sot”
Shtuar më 04/09/2013, ora 14:56
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori