Florin
Krasniqi nga Lëvizja “Vetëvendosje” deponoi një
padi kundër
Hashim Thaçit, për, siç tha, akuzat që bëri Thaçi kundër tij dhe familjes.
Florin
Krasniqi nga lëvizja “Vetëvendosje” ka deponuar të mërkurën në Gjykatën Komunale të Prishtinës një
padi kundër kryetarit të PDK-së,
Hashim Thaçi, për, siç ka thënë, akuzat që Thaçi ka bërë kundër tij dhe familjes së tij.
Krasniqi i është referuar një komunikate të lëshuar nga Partia Demokratike Kosovës më 5 nëntor, të cilën e ka quajtur “shpifje”.
“Akuza përmban 14 falsifikime, akuza që
Hashim Thaçi i ka bërë ndaj meje dhe familjes time”, thotë
Krasniqi.
Në këtë komunikatë të përmendur, Partia Demokratike e Kosovës, e kishte cilësuar Krasniqin “pseudopatriot të parapaguar” dhe kishte vënë në shënjestër pjesë nga jeta e tij private, duke reaguar ndaj akuzave të mëparshme që
Krasniqi kishte bërë në adresë të udhëheqësve aktualë të institucioneve të Kosovës.
Më 3 nëntor, Florin
Krasniqi, i cili ka edhe nënshtetësi amerikane, ishte zotuar se do ta çlirojë Kosovën nga, siç është shprehur, “bandat e organizuara kriminale”.
Krasniqi ka paralajmëruar edhe
padi në një gjykatë amerikane mbi të njëjtin rast, por ka paralajmëruar se fillimisht dëshiron të sigurohet për disa hapa të caktuar.
“Padia që do t’i bëhet
Hashim Thaçit dhe bandës së tij kriminale, në asnjë mënyrë dhe në asnjë kohë mos ta dëmtojë reputacionin edhe ashtu shumë të dëmtuar të Kosovës”, ka sqaruar
Krasniqi.
Xhavit Haliti nga Partia Demokratike e Kosovës, ka deklaruar për Radion Evropa e Lirë, se me gjithë të drejtën që çdo qytetar ka të ankohet në gjykatë nëse mendon se i është bërë ndonjë e padrejtë, rastin konkret e sheh si fushatë elektorale.
“Pa dashur që ta komentoj atë që përmban ajo
padi e natyrës që ai e ka paraparë, unë jam shumë i bindur që do t’i kthehet atij në të kundërtën, sepse nuk e besoj në asnjë rast që mund të ketë diçka inkriminuese në këtë rast për kryeministrin”, është shprehur Haliti.
Zoti Haliti ka thënë se nuk e ka lexuar akoma padinë:
“Po në qoftë se ai mendon që komunikata e lëshuar nga Partia Demokratike e Kosovës pas shpifjeve të bëra në televizion publikisht nga ana e tij, nuk është e vërtetë, atëherë faktet do të ballafaqohen me siguri në instanca gjyqësore”.
Cilësimet në adresë të kryeministrit dhe njerëzve përreth tij si bandë kriminale, ka thënë zoti Haliti, do të duhej të ishin të papranueshme dhe të dënueshme, qoftë edhe nëpërmjet një padie të ndërsjellë.
Por, zoti
Krasniqi ka hedhur poshtë pohimet se padia e tij është në kuadër të një fushate elektorale, duke thënë se në Kosovë ka ardhur me një mision tjetër.
“Nuk është çështje e fushatës, është çështje ligjore që unë do të merrem me të dhe këtu unë kam ardhur për çështje humane dhe kombëtare, nuk kam ardhur për fushatë politike – kam ardhur për ta çliruar Kosovën prej këtyre bandave dhe për ta bashkuar Kosovën me Shqipërinë”, ka deklaruar
Krasniqi.
Shtuar më 17/11/2010,
ora 14:54