Flet deputetja që tradhëtoi në votim LDK-në për Haradinajn
Me 61 vota pro dhe 15 abstenime, Kuvendi i Kosovës ka votuar buxhetin e rishikuar të vitit 2017. Mirëpo, “shpëtimtarja” që ky buxhet të kalojë në tërësi ishte deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Bexha Gaxherri. Vota e saj pro bëri që të sigurohet numri i mjaftueshëm për qeverinë “Haradinaj”.

Deputetja Gaxherri, në një prononcim për Indeksonline, sqaroi qëndrimin që pati në Kuvendin e Republikës. Ajo bëri të ditur se me kalimin e amendamenteve të propozuara nga LDK-ja, në komisionin përkatës, ka bërë që të jetë i pranueshëm buxheti në fjalë.

“Sipas meje ka qenë në rregull pasi gjitha amendamentet që i ka propozuar partia jonë janë pranuar dhe kanë kaluar dhe në fund mu ka dok krejt e paarsyeshme mos me votu”, ka thënë ajo.

Gaxherri, poashtu, përmendi disa prej projekteve të cilat kanë rëndësi të veçantë për qytetin e Pejës, nga edhe ajo vjen.

“Po pra, magjistralja Prishtinë-Pejë, Fabrika ujrave të zeza që është kthyer, paratë që kemi kërkuar me i kthy në shëndetësi 11 milion dhe të gjitha amandamentet që janë pranuar nga Ministri e Financave”, është shprehur deputetja e LDK-së.

18 amendamentet e propozuara morën votën e deputetëve, mirëpo kur u kërkua të votohej buxheti në tërësi, LDK-ja nuk ia dha votën por abstenoi, përjashtimisht deputetes Besa Gaxherri, që votoi pro.

Ndryshe, Qeveria “Haradinaj” ka votuar tanimë buxhetin e 2018-ës, që do të jetë 2 miliardë e 82 milion euro. I pari i Ministrisë së Financave, Bedri Hamza ka deklaruar se rritja ekonomike për vitin e ardhshëm do të jetë mbi 4%.
Shtuar më 01/11/2017, ora 12:01
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori