U konfliktuan jashtë orarit të shërbimit, pezullohen dy policë në Elbasan

Dy punonjës policie janë pezulluar nga detyra si pasojë e një konflikti që kanë pasur jashtë orarit të shërbimit.

Shtetasi me iniciale R.M me detyrë efektiv policie në bashkëpunim me dy persona të tjerë ka goditur me sende të forta efektivin E.H, i cili ka marrë mjekim në spitalin e Elbasanit.

Mësohet se sherri ka ndodhur për motive të dobta.

Njoftim policie

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit ka miratuar menjëherë pezullimin nga detyra, të 2 punonjësve të Policisë, shtetasve E. H. dhe R. M., punonjës policie të Patrullës së Përgjithshme, në Komisariatin e Elbasanit dhe në zbatim të rregullores së Policisë së Shtetit, Drejtoria e Standardeve Profesionale në Policinë e Shtetit, ka nisur hetimin disiplinor ndaj tyre, për shkelje të rëndë disiplinore. Procedimi disiplinor ka nisur krahas procedimit penal të nisur nga Prokuroria pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan.

Nga veprimet hetimore ka rezultuar se shtetasi E. H. është konfliktuar për motive të dobëta, me shtetasin R. M., 23 vjeç (punonjës policie, në Komisariatin e Elbasanit), gjatë kohës që të dy kanë qenë jashtë orarit të shërbimit.

Gjatë konfliktit, shtetasi R. M., në bashkëpunim me 2 shtetas të tjerë, ende të paidentifikuar, ka goditur me send të fortë, shtetasin E. H., i cili ka marrë mjekim në spitalin e Elbasanit dhe aktualisht ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan, në bashkëpunim me Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore, po kryen hetimet e mëtejshme për këtë rast, për veprën penale “Plagosja e lehtë me dashje”, kryer në bashkëpunim./albeu.com