Fjalët prekëse të babait të Astritit: Madhështia jote shpërtheu grilat e burgut (VIDEO)
Babai i Astritit, Avni Dehari, në mbledhjen e lamtumirës të mbajtur sot në Fakultetin e Filologjisë, duke u drejtuar nga fotografia e djalit të tij, ka dhënë një fjalim prekës.

"Si babë e bir jemi mbledh në këtë sallë para këtyre njerëzve për dy qëllime. Ti je në fotografi, dhe të gjithë këta të pranishëm të çmallen me ty dhe ta ruajnë të freskët kujtimin për ty. Unë jam këtu në emrin tënd, në emër të Xhemilës, Albanës, Artës…, dhe që t’i falënderojë të gjithë këta njerëz, motra e vëllezër që kanë ardhë të më ndihmojnë që të përballojmë dhembjen", kanë qenë fjalët e para të babait të Astritit.

Ai më tej ka shtuar se ai dhe të tjerët "janë të vetëdijshëm se ata që të bënë të mos jesh më fizikisht në mesin tonë, do ta mbajnë vdekjen të heshtur".

"Madhështia jote shpërtheu grilat e burgut, u përhap nëpër gjithë Kosovën, në gjithë viset shqiptare, në gjithë atdheun tonë të përbashkët, Shqipërinë. Dhe i ka bërë të gjithë njerëzi që të ndjejnë pikëllimin e madh për ty".

"Je i bindur Astrit, se drejtësia, liria e plotë dhe vetëvendosje, ëndërr shekullore e popullit tonë ndër shekuj janë të gjalla, janë të forta dhe do të vazhdojnë deri në jetësimin e tyre. Prehu i qetë se një ditë të gjitha këto do të bëhen realitet", ka thënë në fund Avni Dehari, babai i Astritit.

Vdekja e studentit të Mjekësisë dhe aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Deharit ka tronditur opinionin e gjerë publik.

Astriti ndërroi jetë të shtunën, në rrethana ende të paqarta në Qendrën e Paraburgimit në Prizren. /albeu.com/

Shtuar më 08/11/2016, ora 12:10
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori