Basha dhe Kryemadhi shfaqen bashkë për herë të parë gjatë fushatës elektorale: Deklarata e fortë!

Kreu i Partisë Demokratike dhe kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim për herë të parë që nga nisja e fushatës janë shfaqur së bashku.

Teksa ndodheshin në Kombinat ku u takuan me banorët e prekur nga tërmeti i 26 Nëntorit, kryedemokrati komentoi sërish ftesën e kryeministrit, për të cilën tha se Rama po mundohet të hapë një derë, por koalicioni për ndryshim do të jetë me LSI-në.

“Me siguri ju ka rënë në sy edhe ju që edhe Edi Rama e ka kuptuar, e ka mësuar tani që me 25 prill ai humb dhe Shqipëria fiton dhe tani po përpiqet të hapë një deriçkë dhe kërkon të bëhet pjesë e qeverisjes që do të formojmë pas zgjedhjeve të 25 prillit.

Koalicioni për ndryshim do të bëjë koalicion me Lëvizjen Socialiste për Integrim me qëllim për t’i dhënë vendit një qeverisje të ndryshimit, një qeverisje të shpresës, një qeverisje e cila do të hapë rrugën për Shqipërinë në Europë, duke hapur brenda 100 ditëve të para negociatat.

Një qeverisje e cila do të kthejë besimin tek ekonomia, tek punësimi dhe tek mirëqenia. Ndaj, le të vazhdojmë së bashku këto 7 ditë që kanë mbetur, maratonën e shqiptarëve të bashkuar për ndryshim sepse me 25 prill Rama humb, Shqipëria Fiton.”, u shpreh Basha.

Kryetari i Partisë Demokratike u zotua se nëse ai do të vijë në pushtet, brenda 100 ditëve do të çelë negociatat për Bashkimin Evropian.

“Koalicioni PD-AN do të bëjë koalicion me LSI-në për t’i dhënë vendit një qeverisje të ndryshimit dhe të shpresës që do të hapë negociatat me BE në 100 ditët e para. Le të vazhdojmë së bashku maratonën e shqiptarëve të bashkuar për ndryshim”, u shpreh Basha.

Ndërkohë Kryemadhi komentoi dhe deklaratën e presidentit serb, Aleksandër Vuçiç për të cilën tha se deklarata e tij tregon hallin e madh të Ramës.

“Deklarata e Vuçiç tregon hallin e madh të Ramës. Edi Rama shikon armik te çdokush që dëshiron ndryshimin. Ne do i qëndrojmë rindërtimit deri në fund. Shqiptarët meritojnë Shqipërinë në Europë, nuk votojnë një të mbaruar që i ka ikur koha”.


Shtuar 18.04.2021 22:34