Fillojnë përgatitjet për Samitin e Parisit
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka takuar gjatë ditës së djeshme ambasadorin francez në Prishtinë Didier Chabert dhe ambasadorin gjerman Christian Heldt, me ç’rast kanë biseduar rreth takimit të Parisit, që pritet të mbahet më 1 korrik të këtij viti.

Në këtë takim, nikoqirë të së cilit do të jenë presidenti francez Emmanuel Macron dhe kancelarja gjermane Angela Merkel, do të marrin pjesë edhe përfaqësuesit e shtetit serb, pasi që temë kyçe do të jetë procesi i negociatave mes dy vendeve.

Ndërkohë nga Kosova, pos presidentit Hashim Thaçi dhe kryeministrit Ramush Haradinaj, pritet që në Paris të shkojnë edhe kryeparlamentari Kadri Veseli, zëvendëskryeministri Behgjet Pacolli, i cili njëherësh është ministër i Punëve të Jashtme, si dhe dy bashkudhëheqësit e ekipit negociator për dialogun, Fatmir Limaj e Shpend Ahmeti, shkruan gazeta “Zëri”.

Në fillim të këtij muaji krerët institucionalë qenë takuar mes vete për t’i bashkërenduar qëndrimet rreth dialogut, rrjedhimisht për t’u përgatitur për takimin e 1 korrikut. Pavarësisht kësaj dy partitë më të mëdha opozitare, LDK-ja e LVV-ja, po vazhdojnë të kërkojnë zgjedhje të parakohshme, jo vazhdim të procesit të dialogut.
Shtuar më 25/05/2019, ora 10:01
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori