Tirana ishte në avantazh, por “goditej” fitorja e Bylisit! Si u parashikua mrekullia ballshiote nga bastet

Por, duke parë rrjedhën e ngjarjeve, koeficientet lëvizën shumë, madje edhe pse Tirana e mbylli pjesën e parë në avantazh, para fillimit të pjesës së dytë shikohet një ulje e koeficientit të fitores së Bylisit, gjë e cila tregon se është goditur nga bastexhinjtë përmbysja e vendësve, gjë e cila ndodhi.

Madje, kompanitë ilegale vendëse pas barazimit 1-1 e hoqën ndeshjen nga bastet “live” duke bllokuar koeficientet.

Humbja e penalltisë nga Bylisi në fund të ndeshjes është një tjetër episod që shton dyshimet se ndeshja ka qenë e çuditshme. Për këtë takim ka pasur edhe një prognozë që nuk bëheshin më shumë se tre gola dhe këtu të lindin sërish dyshime për një penallti të shpërdoruar nga Goxha.

Ajo që e bën më të mjegullt pasqyrën e kësaj ndeshjeje, janë deklaratat e dhëna nga presidenti i Tiranës, Refik ‘ Halili, pas ndeshjes, si dhe trajneri i Bylisit, Veljko Dovedan, i cili deklaroi se për të gjuajtur penalltinë kishte caktuar Ujkën, por u ekzekutua nga një tjetër lojtar.

Ndërkaq, “Procesi Sportiv” në pushim të ndeshjes publikoi një foto të koeficienteve të takimit, ku megjithëse Tirana ishte në avantazh, koeficientin për të fituar ndeshjen e kishte më të ulët Bylisi. E thënë ndryshe, bastexhinjtë vazhdonin të “godisnin” fitoren e Bylisit që gjendeshin në disavantazh 1- 0, kishte përballë ekipin më të fortë të kampionatit dhe kishte vetëm 45 minuta kohë në dispozicion.

Faksimile e një faqeje që mendohet se është kompani bastesh ilegale, publikuar nga “Procesi Sportiv” në fund të pjesës së parë, ku tregon se paçka se Tirana udhëhiqte 0-1 në Ballsh, kuotat parashikonin se Bylisi ishte favorit për të fituar krejt takimin.

GOLAT E PËSUAR

Dyshimet se ndeshja ishte e çuditshme, shtohen edhe nga mënyra se si u shënuan golat në këtë takim. Te goli i Tiranës, që vjen pas krosimit të Kobinës nga këndi, shikohet qartë se si 5 lojtarë të Bylisit rrinë pasivë në zonë, ndërsa 5-6 futbollistë të Tiranës sulmojnë portën dhe Hasani arrin të shënojë me kokë pa problem.
Bylisi goli i dyte

E njëjta skenë pasiviteti nga mbrojtja u pa edhe te golat e Bylisit, ku vendësit me shumë qetësi arrijnë të mposhtin portierin Lika.

NDRYSHIMET

Tjetër arsye që e bën ndeshjen të çuditshme janë edhe ndryshimet në formacion pak orë para sfidës. Para ndeshjes te Tirana ishte menduar që të luanin titullarët në Ballsh. Më pas plani ndryshoi. Ngoja nuk udhëtoi fare në Ballsh, ndërsa në fushë u futën Karabeci, Halili, Hasani, Dunga dhe Hoxhallari. Në stol, Vangjeli, Torasa dhe Kaleja. Për t’u shënuar edhe fakti tjetër që Edvan Bakaj, portieri i dytë, as nuk luajti, as qëndroi në stol, por vetëm në tribunë.

/PANORAMASPORT/


Shtuar 3.07.2020 18:05