Fatmir Sejdiu para dorëzimit
Pëlqej
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Fatmir Sejdiu pas zhvillimeve të fundit brenda partisë, duket se përfundimisht mund të heqë dorë nga kreu i LDK-së, duke pranuar rekomandimet e të tjerëve, që partia t’i besohet kryetarit aktual të Prishtinës, Isa Mustafës.

Zyrtarë brenda LDK-së kanë konfirmuar për Zërin se brenda lidershipit të partisë është arritur pothuajse përfundimisht një marrëveshje që të zyrtarizohet kandidatura e Isa Mustafës për kryetar partie këtë të premte ose eventualisht të dielën, kur edhe është caktuar të mbahet Kuvendi i VII zgjedhor i LDK-së.

Të njëjtit kanë sqaruar se në takimet e fundit që janë zhvilluar brenda partisë janë propozuar dy kandidatë, Isa Mustafa dhe Fatmir Sejdiu, ndërsa i pari është “parapëlqyer”.

“Opsioni i parë është shumë më i mundshëm dhe bile mund të them se është pune e kryer”, ka sqaruar një zyrtar tjetër brenda LDK-së, duke mos dhënë detaje se cili do të jetë roli i Sejdiut në këtë aspekt.

Për këtë tashmë është njoftuar Fatmir Sejdiu, i cili nga burime të gazetës mësohet se është pajtuar pak a shumë me këtë realitet. (albeu.com)
Shtuar më 04/11/2010, ora 12:10
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori