Fantazma e Bizantit në Ballkan
Pëlqej
nga Lavdrim Lita

Në mijëvjeçarin e tretë rajoni i Evropës Juglindore rrezikon të kalojë në anën tjetër të vijës së Teodosit, jo më yll polar Roma e Perëndimit (sot BE-ja), por tashmë fanar ndriçues Roma e Lindjes, Bizanti (sot Moska).

Perandoria e Bizantit i mbijetoi si motrës, Romës më shumë se 800 vite. Kjo perandori nuk ishte më e fortë dhe i kishte kufijtë të vështirë për të mbrojtur, por çuditërisht u mbijetoi sulmeve falë diplomacisë, shërbimeve informative dhe një strategjie politike që i vinte armiqtë e saj njërin kundër tjetrit.

Pas rënies së Kostandinopojës, në ndërgjegjen e kishës Ortodokse ruse u krijua bindja se trashëgimtare e Bizantit dhe themelimi i Romës së tretë e të fundit ishte Moska.

Dëshira e re e Rusisë për t’u ringritur pas rënies brutale së Bashkimit Sovjetik, të paktën si fuqi rajonale po shfaqet me luftërat e kufirit që po bën zoti Putin me Gjeorgjinë, Ukrainën, Moldavinë, etj.

Modeli politik që ka instaluar presidenti rus Putin është oligarkia financiare e mediatike, si dhe shpartallimi komplet i opozitës reale demokratike. Në Rusi opozita përfaqësohet nga Partia Komuniste Ruse, nostalgjike e Stalinit.

Fatkeqësisht ky model rus i quajtur Putinizëm është marrë si model politik në shumë vende të rajonit të Evropës Juglindore duke krijuar një alarm ndërkombëtar sidomos trans-atlantik.

Sekretarit Amerikan të Shtetit John Kerry, më 1 shkurt 2014, në Mbledhjen e 8 të Sigurisë Globale në Munih deklaroi se, “Aspiratat e qytetarëve në Evropën Qendrore dhe Lindore, si dhe në Ballkan përsëri po nëpërkëmben nga korrupsioni, nga interesat e oligarkëve të cilët përdorin paratë për t’i marrë frymën opozitës politike dhe kundërshtarëve, për të blerë politikanë dhe media, si dhe për të dobësuar pavarësinë e gjyqësorit e të drejtat e shoqërisë civile”.

Një zbërthim praktik i kësaj deklarate të zyrtarit më të lartë të DASH është faktike me realitetin që është tek shteti i Malit të Zi, i cili është nën kontrollin e plotë të kryeministrit Milo Gjukanoviç.

Ai ka hyrë në politikë si anëtar i Lidhjes komuniste të Jugosllavisë dhe si një mbështetës i Millosheviçit në 1989 merr pjesë në revolucionit anti-burokraci që rrëzon lidershipin e atëhershëm të Malit të Zi.

Sot pas dy dekadash pushtet, Milo Gjukanoviç e ka bërë vendin e tij pa opozitë, ndërsa për zgjedhje konkurrojnë veç dy parti të majta, partia demokratike e Socialistëve (DPS e Gjukanoviç) dhe partia social-demokrate (SDP) e kryeparlamentarit Ranko Krivokapic.

Po ashtu është faktike që Maqedonia është nën kontrollin e plotë të kryeministrit Nikola Gruevski, i cili e ka bërë vendin e tij de fakto pa opozitë, ndërsa për dekor zgjedh partner një parti shqiptare si konsensus etnik të pushtetit, njëherë BDI-në e Ali Ahmetit e herë tjetër PDSH-në e Menduh Thaçit.

Opozita e përfaqësuar nga LSDM-ja e Zoran Zaev ka marrë goditje të njëpasnjëshme dhe sot është jashtë parlamentit duke kërkuar zgjedhje të reja. Sikurse është faktike që Serbia është nën kontrollin e plotë të kryeministrit Aleksandër Vuçiç, produkt politik i Sheshelit dhe Millosheviçit, i cili e ka bërë vendin e tij pa opozitë, ndërsa zgjedhjet në dy mandatet e fundit kanë thjesht formalitete demokratike.

Opozita serbe është e përçarë dhe po merr goditje të forta nga nxënësi i Sheshelit dhe Millosheviçit. NDS-ja e ish-presidentit serb Tadiç nuk i kalon as 5. 7% dhe PDS e Gjilasit 6% ndërsa karta e SNS-së së Vuçiçit në zgjedhje nuk ka qenë kurrë hyrja në BE, por karta e ortodoksizmit të kishës së Irenejt dhe nacionalizmi pan-sllav, çka është karakteristikë e Gjukanoviçit dhe Gruevskit në fund të fundit. Mjerisht edhe Shqipëria dhe Kosova po thithen nga magneti i modeleve politikë të vendeve fqinje që kanë mision parësor të konsolidimit të pushtetit: shpartallimin e opozitës.

Në Shqipëri, Edi Rama kryeministri i një vend antar i NATO-s sillet me opozitën e PD të Lulzim Bashës me një gjuhë të frikshme kundërvënëse dhe totalisht jashtë rregullave demokratike.

Mungesa e konsensusit politik për reformat e mëdha kushtetuese dhe dhuna ndaj deputetëve të opozitës në Kuvend paralajmërojnë shpartallimin në tavolinë të opozitës përmes reformës territoriale deri në dobësimin e saj maksimal.

Dhe shteti i ri i Kosovës pas 3 muajsh zgjedhje parlamentare pret me padurim të përcaktojë kush do të jetë në qeveri e poste politike sepse asnjë parti politike nuk dëshiron të jetë në opozitë duke parë çka u ndodh vendet e tjera fqinje.

Kryeministri në detyrë Hashim Thaçi pas dy mandatesh qeverisje po frikohen të dalë në opozitë dhe po përdorur të gjitha mekanizmat në dorë të tij të vonojë dhe bllokojë procesin demokratik të shtetit të Republikës së Kosovës. Të jesh në opozitë në vendet e Ballkanit është një sfidë shumë e vështirë sepse kjo sjell mungesë të garancive kushtetuese të jetës dhe të pronës.

Mund të duket e çuditshme që këto vende publikisht dëshirojnë të çojnë popujt e tyre drejt Romës së Perëndimit: BE-në, por e vërteta është se bëjnë gjithçka për të qenë si Roma e Lindjes, Bizanti me flirtimet e herahershme të tiranisë dhe autoritarizmit. /albeu.com/


Autori është gazetar nga Tirana dhe njohës i mirë i rrethanave politike e shoqërore në Shqipëri, Kosovë e Maqedoni
Shtuar më 22/08/2014, ora 14:49
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori