Mijëra studentë rrethojnë Kuvendin, ndiqni pamjet LIVE
Familja Rugova kundër Isa Mustafës
Pëlqej
Ukë Rugova
Përmes një komunikate për media, Familja Rugova, ka sqaruar se "deklaratat e Isa Mustafes dhe anëtarëve të tjerë të kryesisë, se Ukë Rugova i është bashkangjitur listës zgjedhore të LDK-së, nuk qëndrojnë“.

Në një njoftim për media thuhet se “Ukë Rugova, familja e presidentit Rugova, si dhe bashkëpunëtorët e tjerë të Presidentit historik Ibrahim Rugova kanë shprehur gatishmëri të plotë që së bashku ta kthejnë LDK-në si parti të parë në zgjedhjet e ardhshme, ta forcojnë këtë parti, ta bëjnë atë unike dhe ta kthejnë frymën Rugoviane në këtë parti, mirëpo kjo vazhdimisht dhe kategorikisht është refuzuar dhe po refuzohet nga Isa Mustafa dhe kryesia e re e LDK-së“.

Në komunikatën për media të nënshkruar nga zonja Fana, Mendim, Teuta dhe Ukë Rugova thuhet se „oferta që i është bërë Ukë Rugovës nga Isa Mustafa dhe kryesia e re e LDK-se, që ai të jetë pjesë e listës zgjedhore të LDK-së si ‘’obligim moral’’ që kanë ndaj tij, është ofenduese dhe poshtëruese për vetë Ukën, familjen e Presidentit Rugova si dhe të gjithë bashkëpunëtorët dhe adhuruesit e Presidentit historik Ibrahim Rugova“.

Familja Rugova, sipas komunikatës, konstaton se Kuvendi zgjedhor i LDK-së me përzgjedhjen e udhëheqësisë të saj të ardhme nuk përkrahet nga familja e presidentit Rugova "ngase në këtë përzgjedhje favorizohen individë të cilët kanë kontribuar dhe vazhdojnë të kontribojnë në rënien e përkrahjes për LDK-në, de-rugovizmin dhe regjionalizimin e kësaj partie, duke lënë jashtë bashkëpunëtorët e vërtetë të Presidentit Ibrahim Rugova. Kjo parti sot, thuajse nuk ka asgjë të përbashkët me frymën Rugoviane dhe vizionin e Presidentit Rugova“.

„Përdorimi apo mospërdorimi i figurës së Ibrahim Rugovës nga kjo udheheqesi e LDK-së le të mbetet çështje e moralit politik të kësaj udhëheqësie. Familja e Presidentit Rugova distancohet nga çdo veprim i kësaj udhëheqësie të LDK-së deri në reformimin e mirëfilltë të brendshëm të kësaj partie“, thuhet në komunikatën për media të lëshuar nga familja e presidentit të ndjerë Rugova.

Ukë Rugova së bashku me Bujar Bukoshin kanë vendosur që të marrin pjesë në zgjedhje me listën e quajtur LDK-Ibrahim Rugova.
Shtuar më 10/11/2010, ora 13:38
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori