Ra në pusin e shtëpisë, e mitura humb jetën në spital

Një vajzë e moshës 10-11 vjeçare ka ndërruar jetë pasditen e djeshme, pasi nuk ka mundur t’i bëjë ballë plagëve që kishte marrë kur kishte rënë në pusin e shtëpisë.

Këtë e ka konfirmuar për Klan Kosovën zëdhënësi i Policisë për rajonin e Ferizajt, Agim Gashi.

“Rasti është raportuar në Polici më 23 shkurt, të dielën, rreth orës 14:00. Në Ferizaj, një vajzë 10-11 vjeçare ka rënë në pusin e shtëpisë. Familjarët e kanë nxjerrë prej pusit dhe i është dhënë ndihma e parë në Emergjencë. Më pas, vajza është dërguar për trajtim në QKUK”.

Gashi ka bërë të ditur se pasditen e djeshme e kanë marrë informacio nga mjeku kujdestar se vajza ka ndërruar jetë si pasojë e plagëve të marra.

Me urdhër të prokurorit, trupi i pajetë i vogëlushes është dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore.


Shtuar 25.02.2020 09:51