Fajësia e Ojdaniqit dëshmoi krimet serbe në Kosovë
Dragoljub Ojdaniq
Pranimi i fajësisë për krimet e kryera ndaj popullatës civile shqiptare në Kosovë nga ana e ish-shefit të Shtabit të Ushtrisë jugosllave, gjeneralit Dragolub Ojdaniq, nga aktivistët për të drejtat e njeriut interpretohet se mund të shihet nga dy prizma.

E para, Ojdaniq me pranimin e fajësisë, besohet se ka dashur që të zbusë dënimin e tij të shqiptuar nga ana e Tribunalit të Hagës. Kurse, efekti i dytë dhe më i rëndësishmi, është ai i pranimit të fajësisë për krimet e kryera mbi civilët shqiptarë në Kosovë nga aparatura shtetërore ushtarake serbe gjatë konfliktit të vitit 1999.

Drejtori ekzekutiv i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut me seli në Prishtinë, Behxhet Shala, ka deklaruar për Radion Evropa e Lirë se Ojdaniq, në kohën kur është arrestuar, nuk kishte pranuar asnjë fajësi. Kurse, tani kur kishte kaluar dy të tretat e dënimit, ai ka vlerësuar se ka gjasa që të zbusë dënimin e tij, andaj edhe ka pranuar fajësinë.

Por, sidoqoftë, Shala mendon se pranimi i fajësisë ka dëshmuar se krimet e kryera mbi popullatën civile, përndjekjet dhe shkatërrimet, ishin të dirigjuara dhe udhëhequra nga aparatura shtetërore dhe ushtria serbe.

Ish-drejtoresha e Fondit për të drejtën humanitare në Beograd, Natasha Kandiq, thotë për Radion Evropa e Lirë se pranimi i fajit është shumë me rëndësi, pa marrë parasysh se kjo mund të lidhet me të drejtën e Ojdaniqit që pas dy të tretave të kohës së vuajtjes së dënimit, të kërkojë lirimin me kusht.

Sidoqoftë, edhe Kandiq beson se pranimi i fajësisë nga ana e gjeneralit Ojdaniq, i cili së shpejti mbush 72 vjet, dëshmon se në Kosovë janë kryer krime të tmerrshme.

Krimet masive kundër shqiptarëve kanë filluar para konfliktit, kurse gjatë bombardimeve të NATO-s, ato ishin intensifikuar. Fondi për të Drejtën Humanitare ka evidentuar mbi 13 mijë viktima dhe të zhdukur gjatë periudhës 1 janar 1998 deri në fund të vitit 2000, përderisa në Serbi në shumë lokacione janë zbuluar varreza masive ku ishin varrosur mbetjet e të vrarëve”, thotë Natasha Kandiq.

Për krimet e kryera ndaj popullatës civile në Kosovë, Tribunali i Hagës ka dënuar me 27 vjet burg gjeneralin e policisë serbe, Vllastimir Gjorgjeviq, pastaj ish-nënkryetarin e qeverisë jugosllave Nikolla Shainoviqin dhe gjeneralët Nebojsha Pavkoviq e Sreten Llukiq me nga 22 vjet burgim.

Së fundit, pas një procesi të gjatë gjyqësor, Gjykata e Hagës kishte njoftuar se gjenerali serb Dragolub Ojdaniq ka pranuar fajësinë për dënimin e shqiptuar ndaj tij prej 15 vjetësh burg për shkak të krimeve ndaj shqiptarëve të Kosovës të kryera gjatë vitit 1999. /albeu.com/
Shtuar më 03/02/2013, ora 19:58

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori