Sekretari i OKB-së: Lufta do të vazhdojë derisa Rusia të vendosë t’i japë fund

Lufta në Ukrainë do të vazhdojë derisa Rusia të vendosë t’i japë fund, tha për CNN Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, António Guterres.

“Lufta nuk do të përfundojë me takime. Lufta do të përfundojë kur Federata Ruse të vendosë t’i japë fund dhe kur të ketë, pas një armëpushimi, një mundësi për një politikë serioze. Ne mund t’i bëjmë të gjitha takimet, por kjo nuk është ajo që do t’i japë fund luftës”, tha ai.

Të martën, Guterres udhëtoi për në Moskë për një takim kokë më kokë me presidentin rus Vladimir Putin për të diskutuar “propozimet për ndihmë humanitare dhe evakuimin e civilëve” nga zonat e konfliktit, përkatësisht nga qyteti i rrethuar i Mariupolit, sipas një leximi të OKB-së.

Si rezultat, Putin ra dakord “në parim” për të lejuar OKB-në dhe Komitetin Ndërkombëtar për Kryqin e Kuq që të ndihmonin në evakuimin e qytetarëve nga uzina Azovstal në Mariupol, bastioni i fundit i mbrojtjes ukrainase në qytet.

I pyetur se çfarë roli synonte të luante OKB-ja në hetimet e krimeve të luftës të kryera nga forcat ruse në qytetin Bucha në periferi të Kievit, Guterres përsëriti thirrjet e tij për një “hetim të pavarur”.

Kujtojmë se Kremlini ka mohuar çdo përfshirje në vrasjet masive të civilëve në Ukrainë, ndërsa përsëriti pretendimet e pabaza se imazhet e trupave në rrugët e Bucha janë “të rreme”.

Dëshmitë e varrezave masive në qytetet Bucha dhe Borodianka kanë vazhduar të shfaqen që nga fillimi i prillit, pas tërheqjes së forcave ruse nga rajoni i Kievit./albeu.com