Euronews: Ushtria e Kosovës nxit Serbinë për të ndërhyrë ushtarakisht
Kuvendi i Kosovës pritet që të premten të votojë projektligjet për transformimin e FSK-së në Ushtri.

Dhe për këtë ngjarje tanimë janë duke raportuar edhe mediat prestigjioze evropiane dhe botërore.

Ndër to, është edhe rrjeti televiziv evropian, Euronews, sipas të cilit lëvizjet nga Kosova për të ndërtuar një ushtri kanë zemëruar Serbinë fqinjë, e cila ka hedhur idenë e ndërhyrjes ushtarake.

Siç kujton mediumi në fjalë, në një votim të caktuar për të premten, parlamenti 120-vendësh i Kosovës pritet të miratojë me lehtësi projekt-ligjin e paraqitur nga Qeveria për të kthyer njësinë ekzistuese prej 4,000 vetësh – Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK) – në një ushtri të zgjeruar dhe të armatosur lehtë.

Në këtë drejtim, shkruan ky medium, zyrtarët në Prishtinë kanë mohuar pretendimet nga Serbia se qëllimi kryesor i ushtrisë së propozuar do të ishte pastrimi etnik i veriut të Kosovës me serbë.

Zyrtarët kosovarë thanë se ushtria e re do të jetë në thelb një forcë sigurie që merret me reagimin ndaj krizave dhe operacionet e mbrojtjes civile – në thelb ajo që aktualisht bën FSK-ja. Ata thonë se detyrat kryesore të saj do të ishin operacionet e kërkimit dhe shpëtimit, asgjësimin e mjeteve shpërthyese, trajtimin e zjarreve dhe materialeve të rrezikshme”, shkruan Euronews.


Shtuar më 13/12/2018, ora 13:15
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori