Artan Hoxha zbulon detaje në reja për bastisjen e vilës së Ervis Martinajt në Surrel: Mund të mos gjendet kurrë

Gazetari Artan Hoxha ka zbardhur detaje të tjera nga kontrolli në vilën e Ervis Martinaj në Surrel teksa tha se janë dy banesa të tijat në këtë zonë.

Hoxha deklaroi në News 24 se veprimet janë të vonuara dhe se një nga motivet që Martinaj u përplas me autoritetet shtetërore ishte fakti që ai bleu dy banesa në zonën ku jeton kryeministri.

“Është një veprim i cili vijoi operacionin që u bë më 26 dhjetor të vitit të kaluar që po ashtu ishte një veprim i vonuar. Më duken si procedura që duhet të ishin bërë herët dhe tashmë janë duke u bërë një nga një të paktën për të qenë në rregull me letrat, për të thënë që ne e kontrolluam këtë banesë sepse pak a shumë diheshin banesat ku kishte jetuar Ervis Martinaj.

Pse duhet të kalonin 5 muaj për të ushtruar kontroll në këto banesa?!

Ervis Martinaj është shpallur në kërkim më 17 maj në kuadër të operacionit “Plumbi i artë”. Nuk janë bastisur këto banesa që në atë kohë. Ka pasur 3 muaj kohë deri te zhdukja që dhe nëse do kishte gjë komprometuese ta hiqte. Pastaj nga data 9 gusht deri sot kanë kaluar 5 muaj të tjerë. Kjo gjë provoi dhe atë që e kam thënë më parë, që një nga motivet që Martinaj u përplas me autoritetet shtetërore ishte fakti që ai bleu dy banesa në zonën ku jeton kryeministri. Kjo është një nga banesat, nuk e di nëse është kontrolluar banesa tjetër”, tha Hoxha.

Ai deklaroi se Martinaj ka jetuar dhe vetë aty.

“Ka jetuar bashkëshortja dhe vajzat. Nuk e di nëse kishte lindur djali i tij apo jo. Mbaj mend që fëmijët e tij, vajzat në mos gaboj kanë qenë në një nga shkollat që është afër në këtë zonë në periferi të kryeqytetit. Banesa tjetër është në dalje të Surrelit, në hyrje të fshatit Priskë. Nuk e di nëse ka shkuar aty apo jo se s’kam parë njoftim nga policia ose nga prokuroria nëse ka pasur kontrolle në banesë”, u shpreh më tej gazetari.

Hoxha foli për një pasaportë me identitetin Admir Koçi të gjetur në banesë, por me foton e Martinajt e cila ekziston në sistem.

“Në rastin konkret është thënë se janë gjetur vetëm disa dokumente, sigurisht që ato do të jenë pjesë e hetimit. Është gjetur një pasaportë me identitetin Admir Koçi, por me foton e Ervis Martinajt dhe kjo është një pasaportë që ai e ka përdorur dhe kjo është një pasaportë e dalë nga sistemi dhe kjo duhet të hetohet si ka mundur ta marrë ai këtë pasaportë.

Është pse ka të dhëna të falsifikuara pasaporta vetë ekziston në sistem. Fakti që ajo ekziston në sistem do të thotë që atij i jepte mundësi për të lëvizur lirisht brenda dhe jashtë vendit edhe në rast se shpallej në kërkim. Edhe kjo është bërë objekt hetimi.

Di që kjo banesë mirëmbahej nga një person me mbiemër Vuthaj, por në fakt banesa në atë kohë është blerë nga Martinaj. Unë nuk e di se si janë bërë letrat më vonë dhe nëse kjo i është rikthyer prapë personave që e kanë pasur apo jo se është në emër të tyre, ose është lënë në emër të tyre që kjo të mos bëhej pjesë e hetimit që nisi në maj nga SPAK-u për të mos u sekuestruar, por është fakt që është një banesë ku ka qëndruar Ervis Martinaj vetë, ka jetuar me bashkëshorten dhe fëmijët. Nuk e di nëse banesa tjetër që ka po në të njëjtën zonë është bastisur apo jo, por si veprime më duken si veprime të vonuara”, deklaroi Hoxha.

Sipas tij, hetimi është i vonuar dhe duhet të ishte më i shpejtë për t’i dhënë përgjigje familjes dhe për të zbardhur se çfarë ka ndodhur me Martinaj.

“A mund të kenë gjetur prova dhe elementë që mund ta ndihmojnë hetimin, unë uroj që të kenë gjetur, por më duket se hetimi është paksa i vonuar dhe që t’i jepte një lloj kristalizimi asaj që ka ndodhur duhej sezbën që hetimi të ishte më i shpejtë në mënyrë që ne së pari autoritetet t’i jepnin përgjigje familjes së Martinaj se çfarë ka ndodhur me njeriun e vet dhe ata kanë të drejtë si çdo familje tjetër, pra prindërit, motrat, fëmijët e tij ta dinë se çfarë ka ndodhur me njeriun e tyre; së dyti ai është një njeri që ka kontribuuar…pavarësisht se çfarë ka pasur dhe drejtësia duhet të vepronte, por nuk ka vepruar, është një njeri që ka ushtruar biznes, ka paguar taksa dhe ka detyrime…; e treta është një person që zyrtarisht është ende në kërkim. Për SPAK-un ai është një person në kërkim. Për Prokurorinë e Kurbinit heton zhdukjen e tij. Kemi dy gjëra që në vetvete nuk përputhen me njëra-tjetrën. Që gjithë kjo kakofoni versionesh të zbardhet, do të duhet që të kemi një hetim të shpejtë. Hetimi i shpejtë do të nxirrte çfarë ka ndodhur së pari me Ervis Martinaj se dhe mund të mos e gjejnë, mund të mos gjendet kurrë. Ne kemi shembuj, këtu në këtë televizion i kemi nxjerrë, Eduart Belegu dhe sot e kësaj dite nuk ka asnjë dijeni se ku gjendet. U deshën 9 vjet që gjykata të pranonte se ai ka vdekur. Nuk po them Remzi Hoxhën dhe ku di unë më përpara…”, tha Hoxha.

Ai theksoi se sa më shumë kohë kalon aq më e vështirë bëhet, sepse fshihen gjurmët, zhduken dëshmitarët dhe kanë mundësi të largohen dhe historia bëhet më e vështirë.
“Thuhet më mirë vonë se hiç fare, por këto veprime duhet të ketë një koordinim tjetër dhe një duhet një grup i posaçëm special ta bëjë këtë gjë”, deklaroi Hoxha.