EULEX rëndon akuzën për vrasje Gani Gecit
Prokurorja e EULEX-it, Oprea Stalute është shprehur se, "Gjatë administrimit të provave do ta argumentojmë se Gani Geci nuk e ka kryer veprën në gjendje të rëndë të tronditjes mendore dhe se vrasja duhet të cilësohet si vrasje e rëndë: Ajo ka vendosur që të ndryshojë aktakuzën e ngritur nga prokurorja vendore, Vahide Badivuku.

Nga dita e sotme, Gani Geci do të akuzohet për vrasje të rëndë e jo siç ishte akuzuar më parë nga prokurorja e Mitrovicës për vrasje në gjendje të tronditjes së rëndë mendore. Prokurorja Stalute, në seancën e parë gjyqësore ndaj Gecit ka konfirmuar ndryshimet në aktakuzë, përfshirë shtimin e veprës penale përdorim i armës.

"Gjatë administrimit të provave do ta argumentojmë se Gani Geci nuk e ka kryer veprën në gjendje të rëndë të tronditjes mendore dhe se vrasja duhet të cilësohet si vrasje e rëndë", ka deklaruar prokurorja Stalute.

Në deklarimin para Gjykatës, Geci ka mohuar veprën e vrasjes dhe atë të përdorimit të armës përderisa ka pranuar se ditën kritike kishte bartur armë. Avokati i Gecit, Ndrecë Doda, gjatë seancës ka kundërshtuar ndryshimet në aktakuzë duke shtuar se në këtë fazë nuk është koha e duhur për të ndryshuar aktakuzën ndaj klientit të tij.

Procesi gjyqësor ndaj Gecit do të vazhdoj gjatë gjithë ditë së sotme në Gjykatën e Mitrovicës dhe siç raportohet gjykatësi i çështjes ka paralajmëruar që në fund të ditës do të diskutohet edhe masa e arrestit shtëpiak të Gecit.

Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës akuzohet për vrasjen e Ruzhdi Shaqirit në gusht të 2014-tës. Aktakuza ndaj tij ishte ngritur nga prokurorja Vahide Badivuku, ndërsa së fundmi çështja është marrë në dorë nga gjykatësit dhe prokurorët e EULEX-it. /albeu.com/
Shtuar më 04/04/2016, ora 13:43

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori