EULEX mbështet implementimin e marrëveshjeve të dala nga dialogu Kosovë-Serbi
Shefi i ri i misionit të EULEX-it në Kosovë, Bernd Borchardt ka rikonfimuar mbështetjen ndaj institucioneve të Kosovës si dhe rritjen e bashkëpunimit për implementimin e marrëveshjeve që dalin nga dialogu Kosovë-Serbi.


Gjatë një takimi me kreun e qeverisë Hashim Thaci, shefi i këtij misioni ka thënë se ky mision është këtu për t’i ofruar partneritet Kosovës në rrugën e saj evropiane.


“Ne jemi këtu në një partneritet së bashku që sjellë përgjegjësi të gjitha palët. Përveç luftimit kundër krimit dhe sundimin e ligjit ne kemi detyrë të ndihmojmë edhe me zbatimin e marrëveshjeve në këtë dialog tepër të rëndësishëm mes Beogradit dhe Prishtinë. Kjo mbetet prioritet i rëndësishëm për ne dhe EULEX do të bëjë përpjekje të mëdha për të mbështet palët që të zbatojnë këto marrëveshje. Nuk i nënvlerësojmë sfidat që na presin. Më lejoni së fundi të ju them se EULEX është pjesë e familjes së madhe evropiane, Kosova ka aspirata evropiane. Kur ika prej Kosoves në vitin 1999 e dija se njerëzit donin një Kosovë evropiane që të bëhet pjesë e Bashkimit Evropian”, ka thënë Borchardt.


Ndërsa kryeministri Thaçi është shprehur se institucionet e Kosovës do të bashkëpunojnë me këtë mision edhe në implementimin e marrëveshjeve që dalin nga dialogu Kosovë-Serbi.

“I rikonfirmova edhe njëherë shefit të ri të EULEX-it, Borchardt mbështetjen time të plotë dhe bashkëpunimin e ngushtë të Qeverisë së Kosovës dhe institucioneve të Kosovës. Natyrisht se diskutuam edhe për procesin e dialogut mes shtetit të Kosovës dhe Serbisë edhe për procesin e implementimit të marrëveshjeve që unë dua të besoj që edhe EULEX do të ketë rolin e vet në procesin e rendit dhe ligjit, në procesin e drejtësisë. Pra, do të punojmë bashkërisht për të pasur suksese të përbashkëta”, ka thënë kryeministri Thaçi. /albeu.com/
Shtuar më 11/02/2013, ora 14:12

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori